LajmeMaqedoni

Analizë, shifrat e përfaqësimit ‘pa’ dhe ‘me’ Balancerin

Maqedonasit edhe pse përbënin 65,3% të popullatës përfaqësoheshin me 85% në administratë, ndërkaq shqiptarët vetëm 7% edhe pse përbënin 21,7% të popullatës. Ky ka qenë realiteti i përfaqësimit etnik në sektorin publik të vitit 1991, sipas botimit të vitit 1997 të autorëve Sllavko Milosavlevski dhe Mirçe Tomovski, bazuar në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, ndërkaq financiarisht mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe e Arsimit. Kjo mbase do është treguesi më i mirë për rëndësinë e ekzistimit të mekanizmave garantues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

Shfuqizimi i balancuesit rihapi këtë temë disadekadëshe, e cila, në fakt është një ndër bazat themelore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001, e cila më pas do të inkorporohej në Kushtetutën e Maqedonisë me qëllim të parandalimit të diskriminimit të komuniteteve. Përgjegjës për Ndjekjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat janë disa institucione, megjithatë, ndonëse situata është ndryshuar në mënyrë drastike në krahasim me vitin 1991, përfaqësimi vazhdon të nxit debat të nxehtë.

Për këtë, në vitin 2016-të Sekretariati i atëhershëm për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, miratoi një metodologji, e cila bazohej në disa nene të dy ligjeve për të punësuarit në administratë. Megjithatë, balancuesi nuk do të përfshihej edhe në personelin ushtarak dhe civil që shërben në Ushtrinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për zyrtarët e autorizuar në Ministrinë e Mbrojtjes, në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në organin brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme – Byroja e Sigurisë Publike, Agjencia e Sigurisë Kombëtare, Agjencia për Kundërzbulim, si dhe në organin brenda Ministrisë së Financave – Departamenti i Policisë Financiare.

Kjo metodologji, në fakt do ta përbënte balancuesin, një instrument softuerik apo digjital, i cili do të ishte porta kryesore nëpërmjet të cilës institucionet do të detyroheshin që t’i kalojnë planet vjetore të të punësuarve, me qëllim që të mbahet llogari për përfaqësimin etnik gjatë konkurseve. Në praktikë, kjo nënkuptonte që ky mjet të balanconte, pra të urdhëronte institucionin që për një pozitë të caktuar, të punësohet një kandidat i një etniteti të caktuar.

Nëse shihen statistikat e Avokatit të Popullit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, në periudhën prej vitit 2007 deri në vitin 2022, përfaqësimi i shqiptarëve në periudhën para miratimit dhe pas miratimit të balancuesit nuk ka ndonjë dallim të madh. Për shembull, para balancuesit shqiptarët në administratë janë përfaqësuar me 18 deri në 19%, ndërkaq pas balancuesit me 19 dhe 21%.

Një prej arsyeve që nisi debati joformal nëse duhet ose nuk duhet të funksionojë ky mjet, ishte dhe keqpërdorimi i përkatësisë etnike që në fakt, qytetarët vetëm për t’u punësuar ndërronin identitetin e tyre prej maqedonas në shqiptar ose anasjelltas.

Se sa ka qenë i madh keqpërdorimi, në fakt askush s’mund ta thotë. Në maj të vitit 2023, ministri i atëhershëm i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu në Alsat pati deklaruar se nuk mund ta dimë numrin, megjithatë, ai besonte se keqpërdorimi nuk mund të jetë masiv, madje duke theksuar se i njëjti nuk e tejkalon 0,5%.

“Në fakt, nuk mund të themi sa janë reale. Realisht nuk e dimë dhe nuk ka metodologji e cila do të arrish në një analizë shumë të saktë. Në këtë aspekt, këto numra besoj që nuk janë numra që na japin saktësi të madhe. Megjithatë lartë-poshtë, aty duhet të qëndrojnë. Edhe keqpërdorimi besoj, dua të besoj se nuk është më shumë se sa le të themi 0,5% apo edhe më pak. Nuk besoj që kemi aq keqpërdorim në nivel masiv në shtet”, tha Azir Aliu, ministër i MSHIA (18 maj 2023).

Megjithatë, Antikorrupsioni, balancuesin e kontestoi para Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq partia që erdhi në pushtet në vitin 2024, VMRO-DPMNE, e vendosi në programin qeveritar shfuqizimin e tij. Kushtetuese, e shfuqizoi balancuesin, duke i shfuqizuar nenet kontestuese në ligjet për administratë.

Momentalisht, shteti nuk ka instrument që kontrollon përfaqësimin e drejtë, i cili është edhe parim kushtetues. Partia VLEN ka premtuar se do të krijojë një zgjidhje ligjore e cila do të parasheh që jo vetëm të zëvendësojë, por edhe avancojë balancuesin. Në këtë rast, ligji duhet të përmbajë edhe dispozita ndëshkuese për të gjithë ata që nuk e respektojnë përfaqësimin e drejtë, ndërkaq shtrirja e tij do të jetë për të gjitha institucionet, përfshirë edhe ato të sigurisë. /Alsat.mk

 

Show More

Related Articles

Back to top button