LajmeMaqedoni

Rokas: Të zbatohen ndryshimet kushtetuese

Ambasadori i BE-së Mikalis Rokas nuk komenton asnjë opsion tjetër si zhbllokim për Shkupin, përveç ndryshimeve kushtetuese në formën që vendi është zotuar t’i kryej sipas kornizës negociuese. Ai, duke i dorëzuar raportin e progresit ministrit për çështje evropiane, përsëriti qëndrimin e njëjtë të kryetares së Komisionit Evropian Ursula Fon Der Lejen, të dhënë në Shkup një javë më parë.

“Kur Presidentja e Komisionit Evropian ishte këtu dha një mesazh shumë të qartë dhe ekuivok. Citoj “ne kemi një qëllim shumë të qartë dhe ai është që të hapet kllasteri Themeloret sa më shpejt që është e mundur. Jemi pothuajse aty. E dimë se ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese të cilat vendi ka marrë përsipër t’i zbatojë. Tani kemi nevojë për angazhim të përbashkët, bashkëpunim dhe dialog. Shpresoj se të gjitha forcat politike në vend do të bëhen bashkë për ta marrë këtë hap vendimtar që çon përpara”, tha Mikalis Rokas, ambasador i BE-së.

Ky qëndrim i Rokas vjen pas zërave që në Kuvend mund të nisin së shpejti procedurat e ndryshimeve Kushtetuese, me zbatim të prolonguar, pa një miratim dhe dialog paraprak me Bullgarinë. Këtë opsion e hodhi poshtë edhe kryeministri i cili tha se do të ishte naivitet që të niset një procedurë e cila nuk siguron një zgjidhje.

Ambasadori Rokas porositi vendin që ndërkohë të zbatojë 120 rekomandimet e Komisionit Evropian, duke vendosur theksin te korrupsioni dhe sundimi i ligjit.

“Paralelisht Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë të zbatojë reformat e nevojshme për integrim në BE, veçanërisht në kllasterin Themeloret, në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar. Besimi në sistemin gjyqësor duhet të përforcohet. Korrupsioni duhet të marrë epilog pa mëdyshje, duke përfshirë dosje të plotë me hetim, ndjekje penale dhe dënim final të rasteve të korrupsionit të lartë”, u shpreh Mikalis Rokas, ambasador i BE-së.

Ministri Orhan Murtezani deklaroi se tani është pjesa më e vështirë, zbatimi i rekomandimeve të KE-së, gjë të cilën qeveria e merr përsipër ta bëjë. Murtezani ritheksoi se ndërkohë, duhet të përforcohen kapacitetet njerëzore që do të merren me procesin e negociatave.

“Press-konferenca ime e parë si ministër ishte pikërisht në këtë temë, ku kam alarmuar se strukturat IPA dhe Eurointegrimet janë nën kapacitetet minimale që të mundet të merren me sfidat për zbatim të suksesshëm. Të njëjtin fenomen e shoh edhe tani kur jam duke vendosur strukturë dhe është duke u intensifikuar procesi koordinimit të institucioneve për zbatimin e axhendës së reformave. Këtë e kemi biseduar disa herë në seancën e qeverisë. Kjo strukturë duhet patjetër të përforcohet megjithatë duhet të përforcohet me kuadër profesionist i cili do të mund të kyçet në mënyrë direkte”, Orhan Murtezani, ministër për Çështje Evropiane.

Komisioni Evropian publikoi raportin dy ditë më parë, kurse vërejtjet e tij nuk dallojnë pothuajse aspak nga ata të vitit të kaluar.  / Alsat.mk

 

Show More

Related Articles

Back to top button