BotaLajme

Sulmi në Kapitol/ Ish-këshilltari i Trump, Steve Bannon dënohet për shpërfillje të Kongresit

Steve Bannon, një prej bashkëpunëtorëve kryesorë të ish-Presidentit Donald Trump dhe një figurë me ndikim në të djathtën amerikane, u dënua të premten për shpërfillje të Kongresit, pas kundërshtimit nga ana e tij, të një thirrjeje zyrtare për të dëshmuar, të bërë nga komisioni që po heton rreth sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit 2021. Ky zhvillim shihet një fitore e madhe për komisionin e udhëhequr nga demokratët.

Juria e shpalli Bannon, 68 vjeç, fajtor për dy akuza për refuzim të dhënies së dëshmisë ose të dorëzimit të dokumenteve në komisionin e përzgjedhur të Dhomës së Përfaqësuesve.

Çdo shkelje për shpërfillje të Kongresit dënohet me 30 ditë deri në një vit burg, si dhe me gjobë nga 100 deri në 100,000 dollarë.

Vendimi i jurisë të përbërë nga 12 vetë, shënon ndjekjen e parë penale të suksesshme për shpërfillje të Kongresit që nga viti 1974, kohë kur një gjykatës shpalli fajtor G. Gordon Liddy, një prej komplotistëve në skandalin e Watergate-t, skandal që nxiti dorëheqjen e Presidentit Richard Nixon.

Bannon ishte një prej këshilltarëve kyç të fushatës presidenciale të republikanit Donald Trump në vitin 2016. Më pas ai shërbeu në Shtëpinë e Bardhë gjatë vitit 2017 dhe u largua për shkak të një mosmarrëveshjeje me ish-Presidentin, një marrëdhënie të cilën e rregulloi sërish më vonë. Bannon gjithashtu ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në mediat e krahut të djathtë.

Në argumentet përmbyllëse të paraqitura të premten, ekipi i tij mbrojtës tha se Bannon po goditej politikisht dhe e cilësoi dëshmitarin kryesor të akuzës, si një demokrat të motivuar politikisht, e me lidhje me një nga prokurorët. Por në kundërpërgjigjen e tyre, përfaqësuesit e prokurorisë thanë se Bannon përbuzi autoritetin e Kongresit duke kërkuar që ai të mbahej përgjegjës për veprimet e tij të paligjshme.

Dënimi i Bannon mund të forcojë pozitat e komisionit ndërsa vazhdon me përpjekjet për të siguruar dëshmi e dokumente nga persona të tjerë të rrethit të ngushtë të Trump.

Vitin e kaluar ish-presidenti u kërkoi bashkëpunëtorëve të tij që të mos bashkëpunonin me komisionin, duke e akuzuar atë se po përpiqej ta dëmtonte politikisht. Disa nga bashkëpunëtorët e tij i kundërshtuan kërkesat e komisionit.

Një tjetër ish-këshilltar i Trump, Peter Navarro, u akuzua gjithashtu për shpërfillje të Kongresit në muajin qershor. Gjyqi ndaj Navarro është planifikuar të fillojë në nëntor.

Departamenti i Drejtësisë vendosi të mos ngrejë akuza ndaj dy bashkëpunëtorë të tjerë të Trump, Mark Meadows dhe Daniel Scavino, të cilët gjithashtu kanë refuzuar fletëthirrjet e komisionit, dhe pavarësisht se Dhoma e Përfaqësuesve rekomandoi ndjekjen penale të tyre. Në ndryshim nga zoti Bannon, zoti Meadows i ka dorëzuar komisionit disa komunikime që ka pasur në lidhje me ngjarjet e 6 janarit./VOA/

Show More

Related Articles

Back to top button