Byroja Federale e Hetimit (FBI) ka paralajmëruar për dy video të rreme që qarkullojnë online dhe që synojnë të hedhin dyshime mbi zgjedhjet presidenciale në SHBA – ky është paralajmërimi më i fundit në një seri alarmesh nga zyrtarët e lartë.
“BBC Verify” gjeti prova që lidhin videot me një operacion më të madh me bazë në Rusi, i cili ka prodhuar qindra video të rreme që synojnë zgjedhjet në muajt e fundit.
Në një postim në X të shtunën, FBI tha se dy videot po përhapnin thashetheme për mashtrimin me fletëvotime dhe për Doug Emhoff, bashkëshortin e kandidates demokrate, Zëvendës-Presidente Kamala Harris.
Videot e rreme, të cilat pretendojnë të jenë nga FBI-ja dhe përfshijnë logon e byrosë, nuk kanë marrë një numër të madh shikimesh nga njerëz të vërtetë në X.
“Këto video nuk janë autentike, nuk janë nga FBI-ja dhe përmbajtja që ato shfaqin është e rreme,” thuhej në deklaratën e FBI-së.
“Përpjekjet për të mashtruar publikun me përmbajtje të rreme për operacionet e FBI-së minojnë procesin tonë demokratik dhe synojnë të dobësojnë besimin në sistemin zgjedhor.”