LajmeMaqedoni

Koalicioni VLEN me mesazh për Ali Ahmetin – “Zgjedhje të parakohshme, po, por nëse humb, të largohesh nga politika”

Në vend se t’i inkurajojë ish funksionarët e frikësuar me kërkesa të rrejshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokalet, Ali Ahmeti le t’i përkushtohet reformave kadrovike dhe programore. Këtë mesazh ia dërgoi VLEN liderit të BDI-së. Njëkohësisht thonë nëse Ahmeti do zgjedhje të parakohshme, së pari duhet të nënshkruajë garanci se do të largohet nga politika nëse humb në zgjedhje.

“Nëse me të vërtetë dëshiron zgjedhje të parakohshme parlamentare, së pari le të dorëzojë një garanci me shkrim, se kur të humbasë, do të largohet nga politika, në mënyrë që të mos harxhojmë paratë e popullit për problemet e Ahmetit dhe Selës për të parandaluar shpërbërjen e të ashtuquajturit front të tyre”, thonë nga Koalicioni VLEN.

Të gjitha këto vijnë pasi të enjten në seancë kuvendore për pyetje deputetësh, Hristijan Mickoski duke iu përgjigjur liderit të LSDM-së, Filipçe, i tha që të shkojnë në zgjedhje të parakohshme bashkë me ato lokalet që do të mbahen vitin e ardhshëm dhe t’i matin forcat.

Në këtë reagoi Ahmeti i cili tha se e pranon sfidën dhe tani do të shihet nëse Mickoski do ta mbajë fjalën e tij.

Edhe pse vetë ai e nisi temën për zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokalet, megjithatë Mickoski dje reteroi. Tha Ahmeti dhe BDI të përgatiten për t’u përgjigjur për, siç tha, krimin e bërë gjatë 20 viteve të kaluara, ndërsa për zgjedhje do të përgatiten kur të vijë koha.

“E ndjejnë edhe ata vendosmërinë e Qeverisë për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. E dinë çfarë kanë bërë 20 vjetët e fundit, janë të vetëdijshëm dhe e dinë se ngadalë por sigurt po vjen dita kur ata do të duhet të përgjigjen. Andaj si rezultat i kësaj frike ata në mënyrë joparimore marrin guximin dhe mendojnë se në atë mënyrë do të tërheqin më shumë votues. Porosia e ime për ta është që të përgatiten për përgjegjësi, ndërsa për zgjedhje kur të vijë koha”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

Pyetjes së TV21 nëse për ta është e pranueshme që në tetor të vitit të ardhshëm bashkë me zgjedhjet lokale të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe tha se qëndrimin e tyre do ta njoftojnë të hënën në konferencë për media.

 

Show More

Related Articles

Back to top button