Përderisa temperaturat vazhdojnë të bien, sistemet e ngrohjes në shkollat komunale të Gostivarit ende nuk janë ndezur, duke i lënë nxënësit pa ngrohje elementare të nevojshme për të vijuar procesin e mësimit. Ky pretendim vjen nga BDI – Dega në Gostivar, nga ku kërkojnë prej autoriteteve komunale ky problem të zgjidhet urgjentisht.
“Prindërit janë gjithnjë e më të shqetësuar për shëndetin e fëmijëve të tyre, të cilët kërkojnë një mjedis të ngrohtë dhe të qëndrueshëm mësimi. Është e papranueshme që fëmijët tanë të lihen në të ftohtë ndërsa presin veprime nga autoritetet lokale. I bëjmë thirrje UD (ushtruesit të detyrës) kryetarit të Komunës së Gostivarit që të ketë prioritet mirëqenien e nxënësve tanë dhe të punojë drejt zgjidhjes së shpejtë të kësaj çështjeje. Duhet të shpenzohet më pak kohë për fotografimet e tija dhe më shumë për t’u siguruar që çdo klasë në Gostivar të ngrohet siç duhet”,
thuhet në reagimin e BDI – së së Gostivarit. Nga aty shtojnë se banorët e Gostivarit kanë apeluar deri te kryetari i komunës që ta trajtojë këtë çështje me urgjencë, që t’u mundësohet nxënësve që të fokusohen në mësimet e tyre dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë në një mjedis që plotëson standardet bazike të procesit arsimor.
Kanë reaguar edhe nga komuna e Gostivarit. Nga atje thonë se shkollat janë furnizuar me lëndë djegëse por për shkak të motit të mirë nuk e kanë lëshuar ngrohjen. Aslian Snopçe, përgjegjëse për arsim në komunën e Gostivarit thotë se për çështjen në fjalë nuk kanë pranuar asnjë ankesë nga asnjë shkollë dhe se kontrata me kompaninë që ka fituar tenderin për furnzim me lëndë djegëse është lidhur me kohë. Pasi temperaturat ditore shkojnë ende deri në 20 gradë, ne mundohemi të kursejmë nga kjo dhe nxemja nëpër shkolla lëshohet dy – tre orë paradite dhe nëse është e nevojshme edhe pas dite, thotë Snopçe.
Sipas Snopçes, reagimi i degës së BDI në Gostivar është edhe një mashtrim i radhës që bën kjo parti me qëllim të përfitimit të pikëve politike.