Një statujë antike është gjetur këto ditë në fshatin Raveni të Gostivarit. Statuja ka lartësi natyrale, pa kokën që mungon, është një metër e gjysmë e lartë dhe e punuar në një bllok të vetëm mermeri, bashkë me bazamentin.
Por edhe pse me dëmtime nga erozioni, dhe në pjesën ballore edhe nga mjeti gërmues, ajo i ruan elementët e identifikimit. Profesori i artit, Luan Zenki, thotë se zbulimi është i rëndësishëm, por jo ndonjë befasi, pasi Raveni dhe fshtrat e tij përreth, si dhe Gradeci e Dobërdolli, poashtu posedojnë shumë artefakte që i ruan toka dhe ende janë të pa hulumtuara.
Statuja paraqet një njeri të veshur me TOGAT – një mantel prej leshi që përdorej më së shumti nga zyrtarët dhe njerëz të tjerë të shoqërisë së lartë gjatë periudhës së Perandorisë Romake. Statuja e njeriut me togat e gjetur në Raven, krahasuar me të gjithë versionet e togatëve që shfaqen në internet, është e ngjashme më tepër me togatët e gjetur në Apolloni në Shqipëri.
Kjo lloj veshje e ka origjinën nga qyetërimi etrusk, pra nisur nga vitet 700 para Krishtit, të cilët e emërtonin TEBENA. Në të njëjtën periudhë kohore, e njëjta veshje është përdorur edhe në Greqinë e Lashtë, por me emërtimin HIMATION. Sipas studjuesve, veshja është përdorur edhe në territoret e Ilirisë nën pushtimin Romak gjatë shekullit të parë para Krishtit dhe shekullit të parë pas Krishtit, madje statuja të këtij lloji janë gjetur në Apoloni dhe Butrint.
Banorët e Ravenit thonë se e gjithë zona ka mbetje të vjetra, që shfaqen sa herë që ata kryejnë gërmime të ndryshme, ndërsa varrezat antike janë të shumta. Edhe kjo statujë është gjetur nga ndërtimtari Muhamed Bafqari nga fshati Raven, duke punuar fshat. Për gjetjen e statujës janë informuar edhe institucionet kompetente. Profesori Zenki uron që kjo statujë mos e ketë fatin e shumë gjetjeve të tjera në rrethin e Gostivarit dhe në Maqedoni. Ai shpëtimin e sheh në ndërtimin e një muzeu historik në Gostivar, ku do të ruheshin këto artefakte.
Statuja është gjetur në fshatin Raveni, që vendoset në perëndim të Gostivarit, në një zonë të banuar, fare pranë bregut verior të lumit Vardar. Në njërën prej tyre, që gjendet në kodrën mbi fshat, varret janë ruajtur pothuaj të paprekur. Ka shumë të ngjarë që ata ti përkasin periudhës së Mesjetës, pasi të gjithë kanë sipër nga një kryq prej guri të gdhendur. Po kështu, në zonë gjenden edhe rrënojat e disa manastireve apo kishave të vjetra, edhe këto të pastudjuara e ndonjëherë fare pa emër.
Në lartësinë mbi fshat, mes pyllit, fshihet edhe Kalaja e Ravenit, edhe kjo e pastudjuar, megjithë disa gërmime arkeologjike të përcipta. Ndërsa pozicioni gjeografik shfaqet interesant dhe i favorshëm për themelimin dhe zhvillimin e një vendbanimi. Ndryshe, vetëm një vit më parë, sjellja e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, pas gjetjes në afërsi të Shkupit të një pllake varri, ku dallohej edhe mbishkrimi DARDANUS, provokoi një valë zëmerimi ndër shqiptarët.
Edhe pse e vërteta nuk doli krejt e qartë, shqiptarët forcuan bindjen se, në Maqedoninë e Veriut, dëshmitë për të shkuarën e tyre, vijojnë të lihen në mëshirë te fatit.