BotaLajme

“Trump është gati të shkatërrojë Departamentin e Mbrojtjes”, demokratët ngrenë alarmin

Gjatë fushatës së tij për rizgjedhje, Donald Trump premtoi të largojë nga ushtria gjeneralët e ashtuquajtur “woke” (të pabesë).

Tani që është president i zgjedhur, pyetja në korridoret e Pentagonit është nëse ai do të shkojë shumë më tej.

Trump pritet të ketë një pikëpamje më të errët ndaj udhëheqësve të tij ushtarakë në mandatin e dytë, pasi u përball me kundërshtimin e Pentagonit mbi gjithçka, nga skepticizmi i tij ndaj NATO-s deri te gatishmëria e tij për të dërguar trupa për të shuar protestat në rrugët e SHBA-së.

Ish-gjeneralët dhe ish-sekretarët e mbrojtjes së Trump janë ndër kritikët e tij më të ashpër; disa e kanë quajtur atë fashist dhe e kanë shpallur të papërshtatshëm për postin. I zemëruar, Trump ka sugjeruar se ish-kryetari i tij i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Mark Milley, mund të ekzekutohet për tradhti.

Zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të SHBA-së thonë se Trump do të japë përparësi besnikërisë në mandatin e tij të dytë dhe do të largojë oficerët ushtarakë dhe nëpunësit civilë të karrierës që ai i konsideron të pabesë.

“Ai do ta shkatërrojë Departamentin e Mbrojtjes, sinqerisht. Ai do të hyjë dhe do të shkarkojë gjeneralët që mbrojnë Kushtetutën,” tha Jack Reed, demokrati që kryeson Komisionin e Senatit për Shërbimet e Armatosura.

Çështjet e luftës kulturore mund të jenë një nxitës për shkarkime. Trump u pyet nga Fox News në qershor nëse do të pushonte nga detyra gjeneralët e përshkruar si “të ndërgjegjshëm” (woke), një term për ata që janë të përqendruar në drejtësinë racore dhe sociale, por që përdoret nga konservatorët për të kritikuar politikat progresive.
“Do t’i pushoja. Nuk mund të kesh një ushtri të ndërgjegjshme (woke),” tha Trump.

Disa zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë frikësohen se ekipi i Trump mund të synojë kryetarin aktual të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralin e Forcave Ajrore C.Q. Brown, një ish-pilot luftarak dhe komandant ushtarak i respektuar gjerësisht, që shmang përfshirjen në politikë.
Ky gjeneral me katër yje, i cili është me ngjyrë, publikoi një mesazh video për diskriminimin brenda radhëve të ushtrisë pas vrasjes së George Floyd nga një oficer policie në Minneapolis në maj të vitit 2020 dhe ka qenë një zë në favor të diversitetit në ushtrinë amerikane.

I pyetur për një koment, zëdhënësi i Brown, Kapiteni i Marinës Jereal Dorsey, tha: “Kryetari, së bashku me të gjithë anëtarët e shërbimit në forcat tona të armatosura, mbetet i përqendruar në sigurinë dhe mbrojtjen e kombit tonë dhe do të vazhdojë të veprojë kështu, duke siguruar një tranzicion të qetë drejt administratës së re të presidentit të zgjedhur, Trump.”

Zv/presidenti i zgjedhur i Trump, J.D. Vance, votoi si senator vitin e kaluar kundër konfirmimit të Brown si zyrtari më i lartë ushtarak në SHBA dhe ka qenë kritik ndaj asaj që ai e konsideron rezistencë ndaj urdhrave të Trump brenda Pentagonit. “Nëse njerëzit në qeverinë tënde nuk po të binden, duhet t’i largosh dhe t’i zëvendësosh me njerëz që janë të përgjegjshëm ndaj asaj që presidenti përpiqet të bëjë,” tha Vance në një intervistë me Tucker Carlson para zgjedhjeve.

Gjatë fushatës, Trump premtoi të rikthente emrin e një gjenerali konfederat në një bazë të madhe ushtarake amerikane, duke përmbysur një ndryshim të bërë pas vrasjes së Floyd-it.

Mesazhi më i fortë anti-woke i Trump gjatë fushatës iu drejtua trupave transgjinorë. Trump më parë ka ndaluar anëtarët e shërbimit transgjinor dhe ka postuar një reklamë fushate që i portretizonte ata si të dobët, me premtimin se “NUK DO TË KEMI NJË USHTRI (WOKE)!”

Ekipi i tranzicionit i Trump nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

 

Show More

Related Articles

Back to top button