LajmeMaqedoni

Rreth 350 fëmijë romë do të kujdesen falas në kopshtet publike për fëmijë në 21 komuna

Rreth 350 fëmijë romë, të moshës prej tre deri gjashtë vjeç, do të qëndrojnë falas në kopshtet publike për fëmijë në 21 komuna në shtet. Në kuadër të projektit “Përfshirja e fëmijëve romë në institucionet publike komunale – kopshte për fëmijë”, sot janë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim mes Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, komunat dhe kopshtet në territorin e tyre, ku do të kujdesen fëmijët nga ky komunitet etnik.

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani tha se përfshirja e fëmijëve romë në kopshtet për fëmijë do të mundësohet me bllok-dotacione, të cilat komunave do t’ua  mundësojë Ministria.

“Përmes këtij bashkëpunimi, të gjithë së bashku kontribuojmë për përfshirjen e numrit sa më të madh të fëmijëve romë në procesin parashkollor edukativo-arsimor. Duhet të vazhdojmë të investojmë në arsimin e fëmijëve romë, prej çka përfitim ka tërë shoqëria jonë”, deklaroi Limani.

Projektin e kanë përshëndetur kryetarët e komunave, të cilët kanë marrë pjesë në ngjarjen.

Në pyetjen e gazetarëve pse kopshti i sapondërtuar për fëmijë në Haraçinë ende nuk është në funksion, ministri Limani u përgjigj se priten miratime për punësime, për të cilat komuna ka dërguar kërkesë deri te Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

“Ne dërguam kërkesë deri te Ministria e Financave, presim përgjigje prej tyre, të njëjtën e kthejmë te komunat dhe ky është tërë procesi para hapjes së kopshtit të ri. Domethënë, nuk mundet as pa punësime të reja, as pa fëmijë të hapet as kopsht, as shkollë, as ndonjë institucion tjetër”, tha Limani.

Mabera Kamberi nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë informoi se përfshirja e romëve në arsimin parashkollor ka filluar me projekt që në vitin 2006 në partneritet me Fondin edukativ rom.

“Nga viti 2006 deri tani kemi përfshirë rreth 5.500 fëmijë të moshës dy vjeçare para fillimit të arsimit fillor. Ky projekt ka kontribuar të kemi numër më të madh të fëmijëve romë në shkollën fillore, të mesme dhe në fakultet, me çka Republika e Maqedonisë së Veriut avancon nga të gjitha shtetet në fqinjësi. Kemi rreth 250 studentë romë në universitete, ndërsa shtetet tjera nuk mund ta arrijnë as numrin 50. Ky projekt me të vërtetë ka kontribuar të kemi numër aq të madh”, tha Kamberi.

Fëmijët romë në kopshte kanë dokumente, theksoi ajo, ndërsa për ata që nuk janë të evidentuar në Librin amë të të lindurve, ajo tha se të paevidentuarit vendosen në një evidencë të veçantë elektronike që më lehtë t’u sigurohen dokumente.

 

Show More

Related Articles

Back to top button