Presidenti rus, Vladimir Putin i ka dërguar homologut serb Aleksandar Vuçic një ftesë për të vizituar Moskën në 25 maj, kur do të shënohet përvjetori i 80-të i fitores në Luftën e Dytë Botërore.
“Ju ftoj të merrni pjesë në festimet për 80-vjetorin e fitores së Luftës së Madhe Patriotike, që do të mbahen në Moskë në maj të vitit 2025”, citohet të ketë thënë Putin. Ftesa e shefit të Kremlinit duket e ka zënë ngushtë presidentin e Serbisë, kabineti i të cilit as e ka pohuar, e as e ka mohuar këtë informacion.
Putin shkruan mes të tjerash në ftesë se është i bindur që ruajtja “e kujtesës së fitores së madhe do të forcojë vendosmërinë e përbashkët” për të rritur “bashkëpunimin konstruktiv, me qëllim të garantimit të paqes dhe sigurisë në planet”. Kreu i shtetit rus e kishte ftuar Vucicit edhe në samitin BRICS, të mbajtur në tetor, në qytetin rus, Kazan, por në atë rast, presidenti serb arriti ta shmangë me mjeshtëri praninë e tij, me pretekstin se në atë periudhë, Serbia do të priste disa të ftuar të rëndësishëm: Kryetaren e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si dhe liderë të shteteve të BE-së, në mesin e tyre, kryeministrin polak, Donald Tusk dhe kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
Një delegacion i Qeverisë së Serbisë pati marrë pjesë në samitin BRICS, i cili konsiderohet si përpjekje e Rusisë për të krijuar një kundërpeshë ndaj ndikimit të Perëndimit në botë. Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vullin, që është nën sanksione amerikane, pati marrë pjesë në samit dhe më pas qe takuar edhe Putinin, duke nxitur reagimin e menjëhrhërshem të Brukselit që kujtoi se të gjitha shtetet që kanë statusin e vendit kandidat për bllokun europian, “duhet të frenohen nga kontaktet me Rusinë dhe presidentin e saj”.