LajmeMaqedoni

Mickoski: Gjuha shqipe nuk po rrezikohet, nuk i pengon askujt

“Askush nuk është kundër gjuhës shqipe, as në Maqedoni, askush nuk është kundër. Kjo është një temë artificiale. Është një temë që po mundohen ta imponojnë”. Kështu deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke folur për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut dhe për ligjin për gjuhët. Ai theksoi se gjuha shqipe nuk po rrezikohet në këtë shtet.

 

“Më besoni, këtu nuk bëhet fjalë për shqetësim, askush nuk është kundër gjuhës shqipe, përkundrazi ja unë jam kryetar i Qeverisë, askush nuk është kundër, as në Maqedoni, kjo është një temë artificiale. Kjo nuk është temë e cila dikujt i pengon ose nuk I pengon, kjo është një temë që po mundohen ta imponojnë po këto hije nga e kaluara se nuk kanë temë tjetër, më besoni”, deklaroi Mickoski për “Prime” në RTK.

Tutje ai tha se ‘Ligji për Gjuhët’ për pesë vite ka qëndruar në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe pikërisht tani në qeverisjen e tij kjo temë po kthehet në në rend dite.

“Epo, pikërisht kjo është pyetja, se si këta të njejtit gjyqtarë kushtetues, të votuar nga shumica e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së, i kanë mbajtur të gjithë këto në sirtar për 5 vjet dhe tani papritmas kur erdhi një qeveri e re, një qeveri pro-evropiane, nje qeveri reformatore, op atë e nxorrën ne siperfaqe, perndryshe nuk e di a njihni antropologjinë për ligjin e gjuhëve, dhe kjo që sot është para Gjykates kushtetuese, unë pyeta pak dhe u interesova. Ajo që sot eshtë përpara Gjykatës Kushtetuese janë praktikisht tre nene nga ligji për përdorimin e gjuhëve që kanë të bëjnë me kontestet para gjykatave”, deklaroi kryeministri maqedonas.

Mickoski tha se përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoni të veriut nuk po rrezikohet. Madje duke folur për një rast specifik, ai theksoi se sa të jetë ai i pari i shtetit “Vallja e Shotës” do të luhet në mes të Shkupit.

“Në Shkup është luajtur edhe Shota edhe Kolo sërbe, është luajtur edhe Qyqeku turk dhe vallja e vështirë maqedonase, dhe do të luhet. I tillë është shteti dhe ne jemi të bashkuar në diversitetin, dhe do të vazhdohet te luhet. Deri sa të jem unë kryetar i Qeverise do te luhet se në atë mënyrë ne afrohemi e jo të ndahemi”, deklaroi ai.

I pyetur për letrën e Ali Ahmetit që i dërgoi atij rreth heqjes së mekanizmave mbrojtës për komunitetet dhe ndryshimet në Ligjin për përdorimin e gjuhëve, Mickoski tha se Ahmeti i kwrkoi atij qw t’i urdhërojë gjykatësit kushtetues të mos e bëjnë atë.

“Thelbi i letrës së tij është: po të drejtohem Hristijan t’u thuash gjykatësve kushtetues të mos e votojnë këtë që është në rend dite në Gykatën kushtetuese. Së pari, nuk i njoh, do e përsëris. Së dyti, ai dhe bashkëpunëtorët e tij i kanë votuar, nuk i kam votuar unë. Ai ishte deputet në Parlament dhe ai i ka votuar. Si mundet unë t’u them gjykatësve kushtetues të cilët nuk I njoh fizikisht”, tha ai.

Mickoski: Çdokush që nuk ka shkelur ligjet maqedonase është i lirë të kalojë kufirin

Duke folur për marrëveshjen për pika të përbashkëta kufitare Kosovë-Maqedoni, Mickoski u pyet se a do të ketë ndalesa për veteranët e UÇK-së bazuar në fletarrest të serbëve.

Kryeministri maqedonas deklaroi se çdokush që nuk ka shkelur ligjet dhe Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, është i lirë të tranzitojë, të kalojë, e të qëndrojë aty.

“Prioriteti kryesor është respektimi i ligjeve maqedonase dhe Kushtetutës së Maqedonisë. Ata persona që nuk i kanë respektuar ligjet dhe Kushtetutën maqedonase, pavarësisht qytetarë apo shtetas të kujt janë, kanë arsye të shqetësohen kur tranzitojnë ose qëndrojnë në Maqedoni. Gjithçka tjetër për ne nuk është temë bisede”, tha ai në RTK.

Mbledhja ndërqeveritare ishte jashtëzakonisht cilësore

Kryeministri maqedonas tha se mbledhja ndërqeveritare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ishte jashtëzakonisht cilësore dhe se pas kësaj mbledhjeje do të ketë shumë gjëra pozitive dhe të bukura, veçanërisht në planin e ekonomisë.

“Jam i bindur se së bashku mund të punojmë më shumë dhe nëse punojmë më shumë bashkë, jam i bindur se do të jemi më të suksesshëm dhe do të arrijmë rezultate më të mira përballë vendeve të treta”, u shpreh Mickoski.

Ai mes tjerash tha se pret që mes të dyja vendeve të intensifikohen bashkëpunimet në fushën e energjisë.

“Prioriteti ynë i ardhshëm do të jetë ndërtimi i interkonjektorit me Kosovën, dhe kështu mund të realizojmë një komunikim jashtëzakonisht cilësor në këtë drejtim. Respektivisht, një pjesë e gazit do përfundojë në vendin tone dhe një pjesë do të përfundojë këtu në Kosovë, duke marrë parasysh që përdorimi i gazit këtu është shumë më i ulët. Pse është kështu? Supozoj për shkak të sasive të mëdha të qymyrit, por kini parasysh që nga 01.01.2026, për shkak të Planit të Rritjes, të gjitha kompanitë që eksportojnë në BE do të duhet të përdorin energji elektrike që prodhohet nga burime të ashtuquajtura energji të gjelbër”, deklaroi Mickoski.

Mickoski: Incidenti i presidentes Osmani në aeroportin e Shkupit nuk ishte i pari

Duke folur për incidentin e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit, kryeministri maqedonas tha se ky nuk ishte rasti i parë dhe se në njejtin aeroport presidentja ka kaluar një sërë incidentesh.

“Ky nuk është incidenti i parë. Ishte pjesë e një sërë incidentesh që pikërisht e njëjta gjë i ndodhi presidentes në të njëjtin vend në të njëjtin aeroport, në disa raste edhe më parë. Nuk e di nëse e keni këtë informacion” tha ai.

Tutje, Hristijan Mickoski theksoi se politikanët duhet të respektojnë masat dhe ligjet e vendeve ku udhëtojnë.

“Në veçanti, unë, kryeministri i vendit tim, nuk kaloj kurrë nga Terminalin VIP, thjesht shkoj si të gjithë pasagjerët e tjerë, i nënshtrohem të gjitha kontrollet e tjera të aeroportit, njejtë veprojnë zëvendëskryeminstrat dhe Presidenti i Shtetit. Këtë nuk e them rastësisht, po e them sepse është rregull i bashkëpronarit të aeroportit, pra i kompanisë franceze Airport Dipari, e cila është bashkëpronare e Turkish Tav, që është operatori zyrtar i aeroporti tonë. Dhe nëse shkoni atje tani, ata do të ju thonë se këto janë rregullat e tyre”, deklaroi kryeministri maqedonas.

“Nëse autoritetet e sigurisë së aeroportit thonë se do të ketë një kontroll, ju duhet ta kaloni atë proces kontrolli. Kur udhëtoni me një çarter, piloti i çarterit vendos nëse do të kaloni apo jo përmes kontrollove të sigurisë. Por kur kaloni me një linjë pasagjerësh komercialë, pra një fluturim komercial, është e detyrueshme”, shtoi ai.

 

Show More

Related Articles

Back to top button