Sipas të dhënave më të fundit të ESHS, për harxhimet e muajit tetor, shporta minimale sindikale ka arritur në 62.021 denarë, një shumë që arrin pothuajse sa tri paga minimale. Disbalanci mes të ardhurave dhe kostos së jetesës, sipas ekonomistëve, paraqet një hendek që po e vë në një situatë të vështirë shumicën e qytetarëve, të cilët po luftojnë për të siguruar mbijetesën e tyre
Qytetarët vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha ekonomike, duke u përpjekur të mbajnë ekuilibrin financiar për të siguruar nevojat e përditshme. Paga minimale në vend është 22.567 denarë në muaj, vlerë kjo më e ulëta që mund të fitohet në vend, ndërsa është shumë larg për të mbuluar shpenzimet e jetesës, të cilat vazhdojnë të rriten. Sipas të dhënave më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, për harxhimet e muajit tetor, shporta minimale sindikale ka arritur në 62.021 denarë, një shumë që arrin pothuajse sa tri paga minimale. Disbalanci mes të ardhurave dhe kostove të jetesës, sipas ekonomistëve, paraqet një hendek që po e vë në një situatë të vështirë shumicën e qytetarëve, të cilët po luftojnë për të siguruar mbijetesën e tyre, ndërkohë që masat e ndërmarra nga Qeveria deri tani duken të pamjaftueshme për të përmirësuar cilësinë e jetës.
Për këtë, ekonomisti Abil Baush, për gazetën KOHA thotë se kjo diferencë dramatike ngre pyetje serioze për qëndrueshmërinë e standardit të jetesës dhe përpjekjet e qeverisë për të adresuar nevojat e qytetarëve.
“Shporta minimale është një tregues i drejtpërdrejtë i kostove bazike për një familje katër anëtarëshe, përfshirë ushqimin, strehimin, energjinë dhe shpenzime të tjera esenciale. Rritja e vazhdueshme e kësaj shifre reflekton presionin e inflacionit dhe rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve jetësore. Nga një këndvështrim ekonomik, kjo rritje pasqyron një tendencë të shpenzimeve që tejkalojnë të ardhurat e një pjese të madhe të popullatës. Kjo situatë nuk është vetëm një problem statistikor, por edhe një sfidë socio-ekonomike që kërcënon mirëqenien e qytetarëve”, tha Baush.
Duke kërkuar masa të qëndrueshme nga Qeveria, ai parashikon se nëse vazhdon rritja e kostos së jetesës pa rritje pagash, do të rritet migrimi dhe varfëria. “Nëse ky trend vazhdon, me rritje të vazhdueshme të shportës minimale dhe mungesë të rritjes reale të të ardhurave, pasojat do të jenë të rënda. Migrimi i qytetarëve do të rritet, duke përkeqësuar sfidat demografike dhe sociale të vendit, ndërsa varfëria do të bëhet më e përhapur. Qeveria duhet të ndërmarrë masa të qëndrueshme, si stabilizimi i çmimeve dhe përqendrimi në zhvillimin e kapitalit njerëzor, teknologjisë dhe infrastrukturës. Vetëm përmes një strategjie të tillë gjithëpërfshirëse mund të përmirësohet cilësia e jetës së qytetarëve, të krijohen kushte për ndalimin e migrimit dhe të garantohet një e ardhme më e qëndrueshme ekonomike dhe sociale për vendin”, theksoi ai, ndërsa shton se ndërhyrjet e Qeverisë, si rritja e pagës minimale dhe kufizimi i marzheve të fitimit për disa produkte, janë hapa pozitivë, por jo të mjaftueshme.
“Këto masa janë të përkohshme dhe nuk trajtojnë thelbin e problemit. Një zgjidhje afatgjate për këtë situatë kërkon një Strategji të integruar që përfshin: Reformimin e sistemit të pagave dhe përshtatjen e tyre me kostot reale të jetesës, investime në arsimim dhe trajnim profesional, për të rritur produktivitetin dhe të ardhurat, si dhe përdorimin e fondeve ndërkombëtare për të nxitur investime dhe zhvillim”, tha ai, duke treguar se vetëm përmes këtyre masave të mirëstrukturuara, Maqedonia e Veriut mund të sigurojë një standard jetese të qëndrueshme për qytetarët e saj dhe të frenojë trendet negative që kërcënojnë të ardhmen e saj ekonomike dhe sociale.
Ndërkaq, të dhënat e Sindikatës tregojnë se gati 35 mijë punëtorë në vend punojnë me pagë minimale ose deri në pagë minimale, ndërsa 9000 të tjerë marrin pagë deri në 22.576 denarë. Ndër të tjera, sipas nenit 4 të Ligjit për pagën minimale, masa e pagës minimale në masë bruto për muajin mars të çdo viti përshtatet në 50 për qind të rritjes së pagës mesatare neto të paguar, për vitin paraardhës, dhe 50 për qind e rritjes së indeksit të kostos së jetesës, për vitin paraprak, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave. (koha.mk)