BE i kërkon Serbisë të sqarojë çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë
Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Serbia që të sqarojë çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve atje. Blloku është në dijeni për shqetësimet e shqiptarëve në jug të Serbisë lidhur me këtë çështje, ka thënë të enjten zëdhënësja për zgjerim në Komisionin Evropian, Ana Pisonero.
“Ne kemi marrë parasysh shqetësimet për pasivizimin e adresave të pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në jug të Serbisë. Ne po e ndjekim situatën në dritën e angazhimeve që ka marrë Serbia në kuadër të negociatave për anëtarësim, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat e personave që u përkasin pakicave kombëtare…
Mendoj se e kemi bërë të qartë se autoritetet serbe duhet t’i shpjegojnë më mirë opinionit, se si po kryhen kontrollet e statusit të banorëve, që janë duke rezultuar me pasivizimin e disa adresave, dhe nëse Serbia jugore është në shënjestër në mënyrë specifike në këtë drejtim”, ka thënë ajo.
Së fundi, Gjykata Kushtetuese në Serbi ka refuzuar ankesën e një banori shqiptar në Medvegjë, për kthimin e adresës së tij.
Pas këtij vendimi ka pasur reagime nga politikanët në Luginë. Në Kosovë gjithashtu.
Kryetarja e Preshevës Ardita Sinani ka akuzuar Beogradin zyrtar se po vazhdon spastrimin etnik të shqiptarëve të Luginës përmes pasivizimit të adresave dhe ka paralajmëruar se lidhur me këtë çështje do t’iu drejtohen institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë.
Kundër diskriminimit me të cilin përballen vazhdimisht, shqiptarët e Luginës kanë protestuar disa herë radhazi në muajt e fundit.
Shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2022./kp/