Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un akuzoi Shtetet e Bashkuara për shtim të tensioneve dhe provokimeve, duke thënë se gadishulli Korean nuk është përballur kurrë më parë me rrezikun e luftës bërthamore si tani. Komentet e tij u bënë të ditura të premten në mbrëmje nga media shtetërore KCNA.
Në një fjalim në një ekspozitë ushtarake të enjten në Phenian, Kim Jong Un tha se nga përvoja e tij e mëparshme e negociatave, Uashingtoni kishte ndjekur një politikë “agresive dhe armiqësore” kundër Phenianit.
“Asnjëherë më parë palët ndërluftuese në gadishullin Korean nuk janë përballur me një konfrontim kaq të rrezikshëm dhe të mprehtë që të mund të përshkallëzohej në luftën më shkatërruese termonukleare”, tha Kim Jong Un, sipas KCNA.
Gjatë mandatit të parë të Presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump, ai dhe Kim Jong Un zhvilluan tre takime të pashembullta në Singapor, Hanoi dhe në kufirin Korean në vitin 2018 dhe 2019.
Por bisedimet dështuan të arrijnë ndonjë rezultat konkret për shkak të dallimeve, mes thirrjeve të Uashingtonit ndaj Koresë së Veriut që të heqë dorë nga armët bërthamore, dhe kërkesave të Phenianit për lehtësimin e sanksioneve.
Në fjalimin e tij Kim Jong Un bëri thirrje për zhvillimin dhe përmirësimin e armëve në “ultra-moderne” dhe u zotua të avancoje aftësitë mbrojtëse për të forcuar pozicionin strategjik të vendit, njoftoi KCNA. Në veprimtarinë e quajtur Ekspozita e Zhvillimit të Mbrojtjes, u paraqitën armë strategjike dhe taktike.
Fjalimi i fundit i Kim Jong Un-it vjen mes kritikash ndërkombëtare për bashkëpunimin gjithnjë e më të thelluar ushtarak mea me Moskën. Koreja e Veriut ka dërguar më shumë se 10,000 trupa në Rusi për të mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës.
Javën e kaluar, Kim Jong Un kërkoi që ushtria të përmirësojë aftësitë për të luftuar, duke fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj për nxitjen e tensioneve në “fazën më të rëndë në histori” dhe duke e quajtur gadishullin Korean “pikën më të madhe të nxehtë në botë”./VOA