Armando Sadiku përgatitet të nisë aventurën e katërt në tokën spanjolle (më parë është aktivizuar me Malaga, Las Palmas dhe Levante) teksa së fundmi është prezantuar te klubi i Cartagenës, klub që bën pjesë në La Liga 2.
Sulmuesi elbasanas thekson se do të japë maksimumin për skuadrën në fushë duke u shprehur se ai është një luftëtar që nuk tërhiqet kurrë pas.
“Unë do të jap gjithçka për ekipin, jam një luftëtar. Do të luftoj për çdo top dhe nuk tërhiqem kurrë pas. E gjithë energjia ime do të jetë për ekipin në mënyrë që të koleksionojmë sa më shumë pikë të jetë e mundur në sezonin e ri.
Në La Liga 2 konkurrenca është e lartë dhe të gjithë skuadrat kanë cilësi. Kjo është diçka që të mban të motivuar. Me Cartagenën kam mbajtur bisedime edhe në vitin e kaluar, por në fund tratativat nuk u finalizuan dhe unë zgjodha një rrugë tjetër. Por, këtë vit më pas u binda për të firmosur dhe jam shumë i lumtur por edhe i bindur për zgjedhjen time”, u shpreh Sadiku.