Edon Zhegrova është njëri prej sensacioneve të futbollit evropian në këtë edicion.
Ylli kosovar është bërë njëri prej lojtarëve më të mirë në futbollin francez dhe paraqitjet e tij brilante s’kish se si të mos iu binin në sy klubeve të mëdha evropiane.
Mediat italiane raportojnë se janë katër klube italiane që e pëlqejnë “Messin e Kosovës”.
Në ditët e fundit, Juventusi duket të jetë klubi më i interesuar për 25 vjeçarin, por prapa nuk mbetet as Roma, e cila e do në kryeqytet futbollistin e Lillet.
Ndërkohë, Milani është duke e vëzhguar qe një kohë të gjatë ish-futbollistin e Baselit, i cili edhe vetë e ka shfaqur publikisht simpatinë që e ka për Kuqezinjtë.
Një tjetër faktor që mund të ndikojë që Zhegrova të përfundojë në “San Siro” është trajneri Paulo Fonseca, pasi të dy kanë punuar bashkë në Francë.
Përfaqësuesin kosovar e pëlqen edhe Napoli pasi trajneri Antonio Conte ka simpati të madhe për lojën e tij.