LajmeMaqedoni

BDI i përgjigjet Filipçes: Kopjimi i OBRM-PDUKM-së nuk është i shëndetshëm

BDI i është përgjigjur kryetarit të LSDM-së Venko Filipçe, i cili tha se partia e Ali Ahmetit e ka keqpërdorur mbështetjen e LSDM-së në qeverinë e kaluar. Nga BDI thonë se “deklaratat e fundit të Venko Filipçes, tregojnë një rrëshqitje të rrezikshme drejt qasjeve të njohura të OBRM-PDUKM-së”. Nga BDI thonë se “përdorimi i albanofobisë si mjet politik nuk është vetëm i papërgjegjshëm, por edhe i dëmshëm për kohezionin shoqëror dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut”.

“Ky obsesion politik ndaj BDI-së buron nga dy arsye kryesore. Së pari, tentimi për të ndërtuar identitet politik përmes BDI- së si e vetmja parti me identitet të qartë ideologjik dhe politik në skenën e Maqedonisë së Veriut. Në një ambient politik ku shumë parti ndryshojnë qëndrimet sipas interesave momentale, BDI ka ndërtuar një vizion të qëndrueshëm dhe ka dorëzuar rezultate konkrete që kanë ndikuar pozitivisht për të gjithë qytetarët. Kjo konsistencë është një kontrast i fortë me mungesën e qartë të vizionit te partitë e tjera, të cilat tentojnë të ndërtojnë identitetin e tyre përmes sulmeve kundër BDI-së”.

“Së dyti, përdorimi i retorikës anti-BDI është një pasqyrim i albanofobisë së rrënjosur në një pjesë të skenës politike maqedonase. Në vend që të promovojnë barazi dhe bashkëpunim, disa parti përpiqen të mobilizojnë mbështetësit e tyre duke shënjestruar shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë. Kjo qasje është një dëshmi e dobësisë politike dhe e mungesës së ideve për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, thonë nga BDI.

Prej atje thonë se ata kanë qenë gjithmonë garantues të stabilitetit dhe promotorë të reformave euroatlantike.

“Suksesi ynë, i bazuar në 15 fitore elektorale radhazi, nuk është arsye për të krijuar fiksime, por për të reflektuar mbi mungesën e vizionit dhe rezultateve të partive të tjera. Nëse Filipçe dhe partia e tij dëshirojnë të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për qytetarët, duhet të ndalin përpjekjet për të kopjuar qasjet përçarëse të së shkuarës dhe të përqendrohen në ndërtimin e një narrative që bashkon qytetarët dhe promovon stabilitetin. Shqiptarët dhe qytetarët e këtij vendi e dinë mirë se BDI është një histori suksesi, dhe sukseset nuk mund të shfajësojnë dështimet e të tjerëve”.

“Përdorimi i retorikës së konsumuar anti-BDI nuk i ndihmon as z.Filipçe, as partinë e tij, dhe sigurisht as Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët dhe qytetarët kërkojnë stabilitet, progres dhe vizion – jo retorikë përçarëse dhe albanofobi të rikthyer”, thonë nga BDI./Telegrafi/

 

Show More

Related Articles

Back to top button