Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë qëndrimit në Bruksel, dje ka zhvilluar një takim me komisioneren e re për zgjerim të BE-së, Marta Kos, të cilën e ka uruar për postin e ri.
Në një postim në “X”, Kurti ka ndarë detaje të reja se çfarë ka diskutuar me komisioneren Kos.
Kurti ka theksuar se gjatë këtij takimi ka diskutuar edhe për sulmin e fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, ku ka deklaruar se ky sulm ishte sipas rregullave të lojës së Rusisë, e cila sipas tij, sulmoi infrastrukturën kritike të Ukrainës.
“Theksova rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë për bashkëpunimin rajonal dhe theksova se kërcënimet e sigurisë duhet të marrin fund dhe ata që janë përgjegjës për sulmin e fundit terrorist në infrastrukturën tonë kritike duhet të mbajnë përgjegjësi. Sulmi ishte sipas rregullave të lojërave të Rusisë, e cila sulmoi infrastrukturën civile kritike në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse ne ngremë alarmin për aleancën e Rusisë me Serbinë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri shtoi se Kosova është e përkushtuar ndaj reformave të BE-së dhe Planit të Zgjerimit dhe se mezi presin të marrim pyetësorin e KE-së për të avancuar drejt anëtarësimit në BE.
“Mezi pres të bashkëpunoj me Kos për të çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta dhe për të garantuar paqen dhe sigurinë në rajon”, ka shkruar Kurti. /Telegrafi/