Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe homologu i tij amerikan në largim Anthony Blinken do të përplasen sot për luftën në Ukrainë gjatë takimit vjetor të OSBE në Maltë.
Ukraina pritet të jetë çështja politike mbizotëruese, ndërsa gjatë takimit do të miratohen gjithashtu marrëveshjet e arritura në minutën e fundit për çështje të tilla si pozicionet e stafit të lartë në organin e sigurisë dhe të drejtave, të cilat fuqitë perëndimore shpesh e akuzojnë se Rusia shkel të drejtat e njeriut dhe standardet e tjera ndërkombëtare.
Ky takim i ministrave të jashtëm dhe zyrtarëve të tjerë nga 57 vendet anëtare të organizatës në Amerikën e Veriut, Evropë dhe Azinë Qendrore është lënë në hije këtë vit nga kthimi i Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, këshilltarët e të cilit po bëjnë propozime për t’i dhënë fund luftës me marrjen e detyrës në janar.
Fuqitë perëndimore planifikojnë të përsërisin mbështetjen e tyre për Ukrainën, ndërsa Rusia ka të ngjarë të rinovojë kritikat e saj ndaj organizatës.
Lavrov tha vitin e kaluar se OSBE-ja “në thelb po kthehet në një aneks të NATO-s dhe Bashkimit Evropian”. Ndërkohë, vlen të theksohet se ky është udhëtimi i parë i Lavrov në Bashkimin Evropian që kur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë në shkurt 2022.
Ministrja e Jashtme gjermane Analena Burbock pritet të marrë pjesë gjithashtu në konferencën dy-ditore.
Malta anuloi dje vizën e përfaqësueses së Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, e cila gjithashtu do të merrte pjesë në takim, duke argumentuar se ka një ndalim udhëtimi për të.
“Edhe pse ministri i Jashtëm Lavrov është subjekt i sanksioneve të BE-së, nuk ka asnjë ndalim udhëtimi ndaj tij. Megjithatë, ka një ndalim udhëtimi ndaj zonjës Zakharova, përfaqësuese e tij”, theksoi Ministria e Punëve të Jashtme të Maltës.