Për ata që tregojnë pasionin apo kureshtjen për me e kuptuar domethënien reale të gjuhëve në kuadër të funksionimit të shteteve të mirëfillta multietnike, ndoshta ia vlen me i ç’fletuar vetëm disa faqe të historisë së “bashkëjetesës gjuhësore” në shoqërinë zvicerane.
Nëse gjurmohet bile edhe sipërfaqësisht kjo histori, shpejt kuptohet se origjina e respektimit të gjuhëve që promovohen dhe respektohen në hapësirat e një shteti të përbashkët nuk e ka gjenezën e saj, as në Kushtetutë, e as në lojërat dhe kalkulimet politike, por krejtësisht diku tjetër.
Kështu tingëllonte edhe debati preliminar i akterëve të themelimit të shtetit zvicerane, para se t’i përvishen analizës për aspektet ligjore dhe kushtetuese. Çështjen e respektimit të gjuhës të të gjitha komponentëve të shoqërisë e definuan si një parakusht të domosdoshëm të bashkëjetesës dhe prosperitetit, të mirëqenies së përbashkët.
U privilegjuan konsensuset dhe kompromiset në mes të akterëve të ndryshëm të asaj kohe. Shumë të tjerë, e kanë trasuar rrugën e tyre, ashtu si edhe shumë breza të njëpasnjëshme deri ditën e sotëm, dhe akoma asgjë s’ka përfunduar.
Kurse te na, në Maqedoni të Veriut, duket se disa sende trajtohen nga prizmi i të kundërtës, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen! Sa kohë mbrapa jemi!?
Gjithë ato debate, gjithë ato komentime për çështjen e gjuhës. Gjithë ato tentime për me gjetur një zgjidhje, pa ndonjë rezultat për lëvdata!
E tani, sytë janë drejtuar edhe kah një institucion gjyqësor, gjykata kushtetuese. Kërkohet që ajo të tregohet vigjilente, që të mos marrë një vendim të papranueshëm, e as të zgjedh apo të korrigjojë një problem, që normalisht është në barrë të dikujt tjetër.
Paralelisht, gjithë ai “përkushtim politik” për me i mbrojtur disa “vlera”, në këtë vrull debatesh, për me përcjellur këshillat sa më të mençura në adresë te gjykatës! U zgjuan edhe ata që ishin një gjumë të thellë!
Një analizë hipotetike mund të shpie lehtë në konkludimin se edhe një rregull e përsosur kushtetuese apo ligjore mbi çështjet gjuhësore nuk do të arrinte asnjëherë që të ofrojë një zgjidhje optimale në kuadër të funksionimit të një shoqërie e cila është thellë e zhytur në pazarllëqet e tepërta politike. Është pikërisht rasti i Maqedonisë së Veriut.
Mbetet me shpresuar megjithatë se do të respektohet rregulla mbi ndarjen e pushtetit. Nuk do të ishte me siguri e ndershme nëse gjykata kushtetuese do të shndërrohej në rolin e një “kompanie riparimi”, për me i zgjedhur telashet e atyre që kacafyten!
Krahas aspekteve mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të një ligji, kjo gjykatë duhet të mbajë llogari për interpretimin sa më objektiv të vlerave supreme të gjuhës e cila paraqet edhe një ndër shtyllat kryesore të katalogut të drejtave themelore.
Kjo gjykatë mund ta mbajë edhe rolin e lehtësueset të implementimit praktik të drejtave të tilla, e jo të shkaktuesit të telasheve shtesë! Kjo do të shihet më mirë pas seancës së saj më 11 dhjetor.
Kurse ata të cilët shprehin aq shumë interesimin për me i mbrojtur disa parime gjuhësore, do të ishte mirë që kjo të debatohet përmes një qëndrimi pragmatik, e jo vetëm përmes disa kalkulimeve dhe diskurseve të zakonshme politike të veshura me petkun e konfuzioneve, përçarjeve dhe ndarjeve të kampeve politike.
Çdo përkushtim sipërfaqësor ndaj këtyre çështjeve bartë në vete pasoja të rënda. Vetëm fakti i nevojës së implikimit të gjykatës kushtetuese dëshmon me siguri atë se deri tani nuk është arritur të propozohen zgjidhjet adekuate për çështjen e gjuhës në Maqedoni të Veriut. Pa marrë parasysh se e kujt është fajësia!
Duhet kuptuar së paku se gjuha nuk do të duhej të jetë një mall që shitet apo blihet në treg!