Policia e Kosovës sot ka kryer bastisje në dy lokacione në Komunën e Zubin Potok-ut.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.
Sipas tij, në këto bastisje kanë gjetur dhe sekuestruar një uniformë të policisë, një radio lidhje dhe gjësende të tjera.
Ai po ashtu tha se nga këto bastisje janë intervistuar dy persona, të cilët më pas janë liruar në procedurë të rregullt.
“Një bastisje në dy lokacione kemi kryer sot në Komunë të Zubin Potok-ut. Kemi gjetur dhe sekuestruar një uniformë të policisë, radio lidhje, jelek, pushke gjuetie, si dhe kemi intervistuar dy të dyshuar, të cilët më pas janë liruar në procedurë të rregullt”, ka thënë Elshani.
Po ashtu siç tha Elshani në këtë komunë me urdhër të prokurorit kanë vendosur shirita edhe në disa ndërtesa për ndërtim ilegalë.
Ndryshe, më 29 nëntor ka ndodhur një sulm terrorist në Varragë të Zubin Potokut, ku është dëmtuar infrastruktura kritike e Kosovës, kanali i Ibër Lepencit.
Pas bastisjeve në veri të Kosovës, në lidhje me këtë sulmin terrorist janë konfiskuar armë, uniforma dhe pajisje të ndryshme, si dhe janë gjetur emblema ruse dhe serbe të strukturave të inteligjencës, ushtrisë dhe sigurisë. /Telegrafi/