Kuvendet e Kosovës dhe Shqipërisë kanë mbajtur një seancë të përbashkët parlamentare në Prishtinë, ku u theksua mbështetja e ndërsjellë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i lartësoi lidhjet dhe e kritikoi Bashkimin Evropian për qëndrimet e tij ndaj Prishtinës. Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha në hapje të seancës se Kosova dhe Shqipëria janë me njëra tjetrën në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht. Ai e falënderoi Qeverinë e Shqipërisë për mbrojtjen e interesave. Në seancën e përbashkët të dy kuvendeve ishin dy kabinetet qeveritare të dy vendeve si dhe deputetët e grupeve parlamentare të dy shteteve. Pjesë e mbledhjes ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Në mbledhje u pa edhe deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi.
“Ky përbashkim i yni përbënë simbolikën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona, kjo seancë duhet me u pa si dëshmi që Kosova dhe Shqipëria janë me njëra tjetrën në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht duke qenë se nuk mund të përfaqësojmë tjetër gjë përveçse interesin tonë kombëtarë të kombit i cili për ne është i përbashkët”, deklaroi Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës. /Alsat.mk