Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se vendimi i parë që do të marrë PD sapo të vijë në pushtet pas 11 majit, do të jetë hapja e TikTok.
Komentet Berisha i bëri në një deklaratë për mediat, ku tha se kryeministri Edi Rama e mbylli këtë rrjet social, për shkak se PD ishte shumë më lart se PS atje dhe për të vërtetuar këtë, Berisha tregoi edhe një studim.
Berisha tha gjithashtu se me mbylljen e TikTok Rama synon të godasë fjalën e lirë të opozitës.
“Dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë akt prej xhelati të fjalës së lirë të narkodiktatorit Edi Rama. Sikundër paralajmërojmë masa të përshkallëzuara kundër censurës dhe mbylljes së kësaj platforme, për të cilën duhet ta njohim këtu, është platforma më e ndjeshme ndaj postimeve me dhunë. Unë nuk them se kanë anë negative, por elementët që i keqpërdorin, duhen kontrolluar ata dhe jo TikToku, dhe jo Facebook, Instagrami apo mediat e tjera. Kështu që akti është ekuivalent. Unë nuk di vend tjetër ta ketë ndaluar TikTok-un në botë, por sigurisht do e ndjekin edhe diktatorët e tjerë këtë. E dënoj me ashpërsinë më të madhe. Unë i siguroj gjimnazistët dhe studentët, sepse thotë jam këshilluar me prindërit, le që nuk është këshilluar fare, me prindërit që nuk e përdorin TIkTok-un, nuk ke pse këshillohesh. Duhet të këshillohesh me ata që e përdorin, kjo dihet që është pasioni i të rinjve. I garantoj të rinjtë se akti i parë pas zgjedhjeve të 11 majit do të jetë hapja përfundimtare e TikTok-ut dhe ndëshkimi i xhelatit të fjalës së lirë për krim kushtetues. Sepse po shkel nenin 22 të Kushtetutës”, tha Berisha.