Izraeli ka urdhëruar mbylljen dhe evakuimin e një prej spitaleve të fundit që ende funksionojnë pjesërisht në veri të Gazës.
Kreu i spitalit “Kamal Adwan”, Husam Abu Safiya, i ka thënë Reuters se bindja ndaj urdhrit për mbylljen është “gati e pamundur” sepse nuk kishte mjaft ambulanca për të nxjerrë pacientët jashtë.
“Aktualisht kemi rreth 400 civilë brenda spitalit, duke përfshirë foshnjat në njësinë neonatale, jeta e të cilëve varet nga oksigjeni dhe inkubatorët. Ne nuk mund t’i evakuojmë këta pacientë në mënyrë të sigurtë pa ndihmë, pajisje dhe kohë”, ka deklaruar Abu Safyia.
Ai ka shtuar se ushtria kishte urdhëruar që pacientët dhe stafi të evakuoheshin në një spital tjetër ku kushtet janë edhe më të këqija.
Ushtria izraelite ka thënë se të premten kishte dërguar karburant dhe ushqim në spital dhe ndihmoi në evakuimin e më shumë se 100 pacientëve dhe kujdestarëve në spitalin tjetër të Gazës.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës ka thënë se tri spitalet kryesore në Gazën veriore, një prej të cilëve është Kamal Adëan, mezi funksionojnë dhe kanë qenë nën sulme të përsëritura që kur Izraeli dërgoi tanke në Beit Lahiya dhe Beit Hanoun dhe Jabalia aty pranë në tetor.
Ushtria izraelite pretendon se qëllimi i sulmit të ri në veri është të parandalojë luftëtarët e Hamasit që të rigrupohen atje.
Por IDF-ja ka sulmuar spitalet dhe strehimoret, me shumë civilë të vrarë nga forcat izraelite mes sulmeve të pamëshirshme.