Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka paralajmëruar se Berlini duhet të jetë i gatshëm t’i përgjigjet çdo sulmi hibrid nga Rusia, në prag të zgjedhjeve të parakohshme federale. Ai ka deklaruar se Rusia është duke u përgatitur në një sulm të tillë, ka raportuar DW.
“Presidenti rus, Vladimir Putin, është duke u përfshirë në sulme hibride dhe Gjermania është veçanërisht në fokus. Ai na njeh mirë, Putini di të na ngacmojë. Injorimi i këtij kërcënimi sepse na bën të ndihemi jorehat, nuk do ta zvogëlojë atë, por do ta rrisë”, ka deklaruar Pistorius.
Ai ka shtuar se kërcënimi mund të vijë nga dezinformatat në rrjetet online, të orkestruara nga aktorë të mbështetur nga Kremlini për të përçarë shoqërinë gjermane.
“Ka gjithashtu fushata në rrjetet online, ndërhyrje në fushata zgjedhore…Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar sukesin e strategjisë së Putinit”, ka thënë ministri gjerman.
Pistorius ka paralajmëruar se Putini mund të vendosë për riaarmatosjen e ushtrisë deri në 2030-n, me qëllim që t’i sulmojë vendet anëtare të NATO-s.
“Ne gjithashtu duhet të presim që në vitet e ardhshme, Putini të na testojë se sa e bashkuar është NATO-ja, duke bërë një avancim në një shtet ose në një tjetër në territoret e Aleancës. Në periudhën kur po vazhdon lufta në Ukrainë, Gjermania i ka rritur shpenzimet ushtarake, duke i vënë ato në përputhje me objektivat e NATO-s”, ka shtuar ai.