LajmeMaqedoni

RMV, uljet e çmimeve që nuk ndjehen shumë!

Pavarësisht masave të Qeverisë për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë, qytetarët ende nuk vërejnë një ulje të tillë, madje shumë prej tyre thonë se uljet janë të kufizuara për produktet me konsum të ulët ndërsa ushqimet bazë mbeten me çmime të pandryshuara.

“Nuk shoh që diçka është më e lirë në tregje, vetëm disa produkte të cilat rrallë i blejmë kanë ulur çmimin”, thotë një qytetare. Nga Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë (OKM), theksojnë se krahas masave aktuale, nevojiten veprime shtesë, veçanërisht në prag të festave të fundvitit, me qëllim uljen e çmimeve të produkteve që nuk përfshihen aktualisht në “shportë”.

“Prodhuesit dhe tregtarët mund të organizojnë promocione për Vitin e Ri për produktet që tashmë kanë zbritur, gjë që do të ulte edhe më shumë çmimin e tyre. Duke marrë parasysh që ka ulje vetëm për produkte të caktuara , çmimet e atyre produkteve që nuk janë në shportë, si vaji i ullirit, kafeja e të ngjashme mund të kenë ulje me një fushatë për Vitin e Ri”, thonë nga OKM, duke shtuar se me veprime të tilla kompanitë do të tregojnë përgjegjësi sociale dhe do të kontribuojnë në kursimin e buxhetit familjar të qytetarëve.

Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut (LSM) paralajmërojnë se në vend të uljes së pritshme, shpenzimet për ushqim dhe pije në dhjetor janë rritur për 397 denarë. Ata sugjerojnë që në të ardhmen tregtarët dhe biznesmenët të mos informohen paraprakisht për masat, për të shmangur abuzimet e mundshme në dëm të qytetarëve dhe punëtorëve.

“Shporta minimale sindikale në dhjetor është rritur për 840 denarë në krahasim me muajin paraprak dhe arrin në 62.861 denarë. Kjo është një goditje shtesë për standardin e punëtorëve dhe familjeve të tyre”, thonë në LSM.

Qytetarët nga ana tjetër apelojnë deri tek institucionet kompetente për kontroll dhe zbatim më efektiv të masave, me synim uljen reale të çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe lehtësimin e barrës financiare të amvisërive, sidomos gjatë festave të fundvitit.\Koha\

 

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk