Pasi televizoni Globi ditëve të fundit vizitoi disa fshtra të cilët ballafaqohen me mungesë të energjisë eletrike, nga Elektrodistribuimi, gjegjësisht nga EVN, thonë se në këto fshatra aktualisht punohet në rikonstruimin dhe modernizimin e rrjetit, ndërsa, siç pohohet nga aty, me banorët kanë bashkëpunim të shkëlqyer. Por, banorët që kemi intervistuar, nuk ndajnë mendimin e njejtë se me EVN-në kanë bashkëpunim të mirë, pastaj siç ata kanë deklaruar, edhe kur ekipet e kësaj kompania janë në terren asnjëherë nuk i kanë rregulluar plotësisht defektet që shfaqen.
Pasi ditën e djeshme dërguam pyetje, EVN sot na është përgjigjur për ankesat e shumat të banorëve nga fshatrat e Gostivarit, nga ku thonë se një pjesë e projekteve janë të përfuduara dhe për pjesën tjetër po punohet çdo ditë në terren për të sanuar problemet që shfaqen.
Nga aty thonë se humbjet e rrymës vijnë si pasojë e kyçjeve të paligjshme në rrjetë dhe konsumit të pakontrolluar.
“Në fshatrat me projekte të papërfunduara, humbjet janë akoma në nivel të lartë si rezultat i kyçjeve të paligjshme dhe konsumit të pakontrolluar të energjisë nga një pjesë e banorëve. Gjithashtu, një pjesë e konsumatorëve harxhojnë më shumë se konsumi i lejuar sipas lidhjeve standarde në vend, të cilat shënojnë fuqi të njëkohshme prej 11 kV, duke shkaktuar kështu mbingarkesë të rrjetit. Këta konsumatorë duhet të drejtohen në Qendrën Energo të Konsumatorëve të Elektrodistribuimit në Gostivar me kërkesë për rritjen e fuqisë”, thuhet në përgjigjen e EVN-së.
Ndryshe, fshatrat të cilët më së shumti janë prekur nga mungesa e energjisë elektrike janë Çegrani, Debreshi dhe Vrapçishti.