LajmeMaqedoni

Çmimet në RMV assesi të stabilizohen!

Lëvizjet e çmimeve të produkteve ushqimore, por edhe të pijeve më të përdorura, përfshirë kafen, vitet e fundit, pas rritjes së ndjeshme të nxitur nga lufta në Ukrainë, janë vazhdimisht në trend rritës. Ndonëse ndodhin edhe lëkundje, kështu që pas presionit të fortë ka pasur stabilizim dhe ulje të lehtë të çmimeve të disa prej produkteve, megjithatë qytetarët tregojnë dhe agjencitë statistikore regjistrojnë rritje të vazhdueshme të çmimeve. E

dhe pse autoritetet po marrin masa për stabilizimin e çmimeve në tregje, në praktikë stabilizimi duhet të mbështetet nga një sërë faktorësh të tjerë, në mënyrë që të jetë më afatgjatë. Masa e shportës së Vitit të Ri po jep rezultate, por është e kufizuar nga një kornizë kohore. Çmimet në vendet evropiane janë sërish në trend rritës, e krahas kësaj, në bursat botërore vërehen rritje çmimesh dhe luhatje të mëdha të produkteve ushqimore. Çdo ditë jemi dëshmitarë të informacioneve që tregojnë se çmimi i ushqimeve po rritet, por edhe i kafesë, kakaos, grurit, “ari i zi” ndryshon vazhdimisht…

Për presionin e çmimeve në Maqedoni, profesori i ekonomisë, Neritan Turkeshi thotë se për shkak të ngjarjeve botërore, luftërave dhe situatave të shumta konfliktuale në botë, si dhe ndryshimeve klimatike, presioni mbi çmimet e produkteve ushqimore bazë do të vazhdojë.

“Përveç luhatjeve periodike të çmimeve që janë tipike në kapitalizëm, ne po shkojmë drejt një të ardhmeje ku vetë disponueshmëria e ushqimit do të kërcënohet, për të mos përmendur nivelin e çmimeve. Arsyet për këtë janë, së pari, thellimi i krizës klimatike dhe së dyti, niveli në rritje i tensioneve dhe konflikteve mes fuqive të mëdha. Thellimi i krizës klimatike sjell uljen e rendimenteve për shkak të thatësirave dhe përmbytjeve dhe kjo sjell çmime më të larta për produktet bujqësore. Për shembull, rritja e çmimit të çokollatës, kafesë… lidhet drejtpërdrejt me rënien e të korrave në Afrikën Perëndimore për shkak të thatësirës së madhe që preku atë rajon. Arsyeja e dytë, përplasja mes fuqive të mëdha çon në kolaps të prodhimit bujqësor në rajonet e prekura dhe në ndërprerje të furnizimit, që sërish ndikon në çmimet e larta të mallrave”, thotë Turkeshi.

Ai shprehet se Maqedonia e Veriut, që ndodhet në një rajon ku tashmë ndjehen ndryshimet klimatike, duhet të gjejë një model që do të mbështesë dhe inkurajojë prodhimin vendas të ushqimit, i cili do të kënaqë nevojat e brendshme.

“Për të zbutur pasojat, Maqedonia duhet t’i marrë seriozisht pasojat e krizës klimatike, të rrisë prodhimin bujqësor përmes investimeve shtesë në të në vend që të mbështetet në import, si dhe të vazhdojë dhe thellojë politikën e rregullimit të çmimeve të produkteve ushqimore”, shprehet Turkeshi.

Në ndërkohë, Raporti i fundit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) tregon se çmimet botërore të ushqimeve u rritën në nëntor në nivelin më të lartë që nga prilli 2023, 0.5 për qind më shumë se tetori, nxitur nga rritja e çmimeve ndërkombëtare të vajit vegjetal.

“Indeksi i çmimeve të ushqimeve të FAO-s, i cili gjurmon ndryshimet mujore në çmimet ndërkombëtare për një sërë produktesh ushqimore të tregtuara në nivel global, ishte mesatarisht 127.5 pikë në nëntor, 5.7 për qind më shumë se një vit më parë një vit, ndërsa ende 20.4 për qind nën kulmin e marsit 2022”, thekson raporti i tyre i fundit. Në raport theksohet se çmimet e vajit vegjetal u rritën me 7.5 për qind në muajin nëntor krahasuar me tetorin, rritja e dytë më e madhe në dy muajt e fundit dhe 32 për qind më e lartë se niveli i një viti më parë. Çmimet globale të vajit të palmës u rritën më tej si pasojë e shqetësimeve për prodhim më të ulët se sa pritej për shkak të reshjeve të tepërta në Azinë Juglindore. Çmimet botërore të sojës u rritën edhe për shkak të kërkesës globale, si dhe rritje ka edhe çmimi i farës së rapit dhe vajit të lulediellit. Edhe çmimet e produkteve të qumështit kanë një trajektore rritëse, duke u rritur me 0.6 për qind krahasuar me muajin tetor, për shkak të rimëkëmbjes së kërkesës globale. Çmimet e gjalpit arritën një rekord të ri për shkak të kërkesës së madhe dhe furnizimeve të pakta në Evropën Perëndimore, ndërsa çmimet e djathit u rritën për shkak të disponueshmërisë së kufizuar, thotë FAO.

Edhe statistikat e EUROSTAT-it tregojnë se çmimet e ushqimeve janë në rritje. EUROSTAT përcaktoi se norma vjetore e inflacionit në Eurozonë arriti në 2.2 për qind në nëntor 2024. Një vit më parë, norma ishte 2.4 për qind. Inflacioni vjetor në Bashkimin Evropian ishte 2.5 për qind në nëntor 2024 dhe një vit më parë ishte 3.1 për qind.\Koha\

 

Show More

Related Articles

Back to top button