Kur një aeroplan udhëtarësh me 67 njerëz në bord u rrëzua në tokë në bregdetin e Kazakistanit mëngjesin e 25 dhjetorit, mediat dhe autoritetet ruse vepruan shpejt për t’i theksuar shkaktarët e mundshëm: mjegulla e trashë, përplasja me zogj dhe shpërthimi i një boce oksigjeni në kabinë.
Megjithatë, provat gjithnjë e më të mëdha sugjerojnë se aeroplani i Azerbaijan Airlines, i cili po frutonte nga Bakuja drejt Groznit, kryeqytetit të rajonit rus të Çeçenisë, mund të jetë goditur nga një raketë e një kundërajrori që po mbrohej ndaj gjoja një sulmi ukrainas me dronë në Çeçeni, para se ta kalonte Detin Kaspik dhe të rrëzohej afër Aktaut në Kazakistan, duke i lënë të vdekur 38 udhëtarë dhe pjesëtarë të ekuipazhit.
Provat, shumica e të cilave nuk janë konfirmuar nga autoritetet në Azerbjaxhan, Kazakistan apo Rusi, përfshijnë pamje nga brendësia e aeroplanit para rrëzimit të tij, fotografi që shfaqin vrima në bishtin e aeroplanit pas rrëzimit, komentet e një të mbijetuari, dhe dëshmitë që lënë të kuptohet se dyshohej për një sulm me dronë në kohën kur aeroplani u përpoq të aterojë në Grozni.
Nëse konfirmohet se raketa tokë-ajër është shkaktari i rrëzimit, atëherë kjo do të ishte hera e dytë që një raketë ruse e rrëzon një aeroplan udhëtarësh që nga fillimi i luftës së Moskës në Ukrainë me pushtimin e Gadishullit të Krimesë dhe konfliktin në Donbas një dekadë më parë.
Një raketë ruse që ishte sjellë në territorin e kontrolluar nga forcat e mbështetura na Moska në Donjeck e rrëzoi aeroplanin MH17 të Malaysia Airlines më 17 korrik 2014, duke i vrarë të gjithë 298 udhëtarët dhe ekuipazhin.
Pas rrëzimit, Rusia lëshoi një breshëri pretendimesh të rrejshme dhe teorish të çuditshme për shkaktarin.
“I ekspozuar ndaj pengesave të GPS”
Avioni u nis nga Bakuja para agimit me 62 pasagjerë dhe pesë anëtarë ekuipazhi. Fluturimi i shkurtër në veriperëndim drejt Groznit duket se kaloi pa incidente për gjysmë ore, por pastaj avioni “u përball me pengesa të mëdha në [sinjalet e Sistemit Global të Pozicionimit] GPS”, sipas Flightradar24, një faqe që gjurmon trafikun ajror në mbarë botën.
Kjo faqe tha se nga ai çast deri rreth 20 minuta para përplasjes në tokë, Flightradar24 herë pas here nuk arriti të marrë dhëna nga avioni dhe në raste të tjera mori të dhëna, por hollësitë mbi vendndodhjen e tij ishin të pasakta ose mungonin.
“Avioni u ekspozua ndaj bllokimit dhe mashtrimit të GPS pranë Groznit”, tha Flightradar24.
Ndërkohë që këto masa vetë nuk ka gjasa ta kenë shkaktuar rrëzimin, ato janë shenjë se në tokë janë bërë përpjekje për t’u mbrojtur kundër ndonjë sulmi me dronë.
Një kanal opozitar çeçen në Telegram dhe Baza, një media ruse e lidhur me shërbimet e sigurisë, raportuan për një sulm me dronë në Grozni rreth kohës kur avioni ishte në atë zonë.
Baza gjithashtu raportoi se aeroporti i Groznit ndaloi pranimin e avionëve për shkak të sulmit të supozuar.
Hulumtuesit e burimeve të hapura konfirmuan sulmin me dron në Çeçeni përmes gjeolokacionit.
Një llogari në Instagram e udhëhequr nga sekretari i Këshillit të Sigurimit Çeçen, Khamzat Kadyrov – i cili është nip i udhëheqësit rajonal autokratik Ramzan Kadyrov – bëri një postim ku tha se një sulm me dronë u zmbraps suksesshëm.
Postimi përmbante edhe një video e asaj që, sipas llogarisë, ishte një dron duke u goditur dhe duke shpërthyer në zjarr. Ky postim u fshi më vonë.
Media shtetërore Grozny-Infrom, duke iu referuar postimit të njëjtë në Instagram, raportoi se Khamzat Kadyrov shkroi se “të gjithë [dronët] u rrëzuan”.