Dhjetë infermierë asistentë kolumbianë do duhej të largoheshin nga Gjermania, në një kohë që nevojiteshin aq shumë në një qendër për demencën. Një rast që tregon sa vështirë e ka Gjermania me migracionin e punës.
Andrea dhe Tino Wohlmacher në fakt do duhej t’i hapnin tapat e shampanjës tani. Ata sapo kanë arritur fitoren e tyre të parë të vogël në xhunglën burokratike gjermane të aplikimeve për azil, imigrimin e punëtorëve të kualifikuardhe dëbimet. Por operatorët e qendrës së kujdestarisë për pacientët me demencë në Wilstedt pranë Bremenit kanë shumë punë pak ditët e fundvitit dhe nuk kanë kohë për të festuar. 48 vetë trajtohen në këtë qendër në Gjermani.
Dhjetë infermierët asistentë nga Kolumbia që janë të punësuar aty nuk do të dëbohen, ata lejohen të qëndrojnë për momentin, me lejen e mundësuar fillimisht për shkak të trajnimit profesional dy ose tre vjeçare. Andrea Wohlmacher thotë për DW: “Sikur na është hequr një gur nga zemra”.
Nga azili në marrëdhënie pune?
Historia e dhjetë kolumbianëve është një leksion i mirë për të kuptuar, se sa e vështirë është ende për Gjermaninë të tërheqë e të mbajë punëtorët e nevojshëm urgjentisht dhe në të njëjtën kohë të ndajë qartë azilin dhe migracionin për motive punësimi. Amerikano-jugorët e pakualifikuar aplikuan fillimisht për azil, por ai u refuzua. Prandaj, ata nuk mund të kalonin në procedurën e imigracionit të kualifikuar përmes një të ashtuquajturi “ndryshim korsie” nga ana ligjore. Skenari kërcënues: Të gjithë kolumbianët duhej të largoheshin nga Gjermania – që konkretisht do të thoshte që qendra duhej të mbyllej për shkak të mungesës së stafit.
Andrea Wohlmacher ishte i bindur. “Mendoj se ne jemi shembulli kryesor i migrimit të nevojshëm. Dhe kjo nuk vlen vetëm për punëtorët e kualifikuar. Ne kemi pasur mungesë punonjësish në Gjermani, veçanërisht në sektorin e infermierisë, për dekada të tëra.” Sipas Këshillit Gjerman të Infermierisë, tashmë ka një mungesë prej rreth 115,000 vetësh të personelit infermieror profesionist në pozicione me kohë të plotë në infermieri. Tregu është bosh, shumë spitale, qendra kujdestarie për të moshuarit mund të mbijetojnë vetëm me staf nga jashtë.
Rasti shkon deri tek ministri i Shëndetësisë, Lauterbach
Kur dhjetë punonjësit e tyre kërcënohen me dëbim, dy menaxherët e qendrës shëndetësore i drejtohen publikut. Ata u shkruajnë një letër të hapur tetë politikanëve, madje edhe ekipet televizive shfaqen në Wilstedt. 83,782 njerëz nënshkruan një peticion drejtuar qeverisë federale. Ministri Federal i Shëndetësisë Karl Lauterbach madje e pranoi atë personalisht.
Rasti ndezi debatet në të gjithë Gjermaninë: Si mundet që njerëzit e mirëintegruar që paguajnë taksa dhe janë ditë e natë për njerëzit në nevojë duhet të largohen nga vendi? Por ekziston edhe ana tjetër e medaljes: Çfarë lloj sinjali dërgon Gjermania jashtë vendit, nëse azilkërkuesit e refuzuar pa trajnimin e duhur mund të qëndrojnë në vend? Vendimi përfundimtar tani i takon Komisionit të Posaçëm të landit të Saksonisë së Poshtme.
Ministri Federal i Shëndetësisë, Karl Lauterbach premtoi se do të bënte gjithçka të mundshme që lejohej nga ligji. “Nëse nuk do të kishim stafin e huaj infermieror, nuk do të mund ta ofronim më kujdesin shëndetësor në të njëjtën masë në Gjermani”, tha Lauterbach duke shtuar, se duhet të dërgohet një sinjal: “Stafi i huaj infermieror është më se i mirëpritur këtu, sepse ne varemi prej tyre dhe kemi pasur përvoja shumë të mira me ta”.
Reduktim i kërkesave për azil, rritje e punësimit
Andrea Wohlmacher është i sigurtë, se pa vëmendjen e publikut dhe bisedimet me politikën, sërish do ekzistonte frika e dëbimit afatshkurtër. Joachim Stamp, përfaqësuesi special i qeverisë federale për marrëveshjet e migracionit për gati dy vjet është ai që duhet të sigurojë që imigracioni i kualifikuar në Gjermani të zhvillohet në mënyrë të rregullt, pra jo përmes një aplikimi ndoshta të pashpresë për azil. Stamp ka zhvilluar madje së fundmi edhe bisedime në kryeqytetin kolumbian Bogota këto ditë. “Ne duam të reduktojmë migracionin e parregullt dhe të mundësojmë menaxhim më të mirë të migracionit për motive punësimi. Unë gjithashtu e kam bërë të qartë publikisht në mediat kolumbiane se rruga drejt tregut gjerman të punës nuk kalon përmes ligjit të azilit, por vetëm përmes imigrimit të rregullt të punëtorëve të kualifikuar”. tha Stamp për DW.
Aktualisht, 14,000 kolumbianë që jetojnë në Gjermani janë të punësuar me kontribute të sigurimeve shoqërore. Ka gjithashtu 3500 studentë dhe pasuniversitarë dhe rreth 500 të punësuar si studiues. Me një partneritet gjithëpërfshirës të migracionit me vende të tilla si Kolumbia, por edhe Gjeorgjia, Uzbekistani, Maroku dhe Kenia, Gjermania dëshiron të promovojë migrimin e rregullt për motive punësimi dhe të zvogëlojë numrin e kërkesave për azil, që nuk kanë shansin e njohjes për qytetarët e këtyre vendeve. /DW/