LajmeRajon

Hovenier thotë se është krenar që nderimin e fundit si ambasador ia bëri Rugovës

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, po e përmbyll angazhimin e tij në Kosovë me një vizitë te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe tha se në po këtë mënyrë edhe kishte nisur mandatin.

Ai sot pati një takim lamtumirës me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, me të cilën më pas shkoi për homazhe te shtatorja e ish-presidentit Rugova.

“Siç e përmendi edhe Presidentja, tre vite më parë, pothuajse saktësisht tre vite më parë, në fillim të janarit 2002, erdha në këtë vend. I dorëzova kredencialet e mia Presidentes, dhe akti im i parë zyrtar publik ishte të bashkohesha me Presidenten për të vendosur një kurorë këtu te statuja e ish-Presidentit Rugova. Dhe më dukej shumë e përshtatshme që akti im i fundit zyrtar si ambasador i SHBA në Kosovë të ishte të mbyllja këtë cikël duke bërë të njëjtën gjë”, tha Hovenier.

Ai lavdëroi këmbënguljen e Rugovës dhe vlerat për të cilat qëndronte.

“E bëj këtë në kujtim të Presidentit Rugova dhe asaj për çka ai qëndronte, këmbënguljes së tij për të drejtat e të gjithë njerëzve të Kosovës, këmbënguljes së tij për një shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe të begatë, këmbënguljes së tij për të ndjekur këto qëllime në përputhje me vlerat më të larta të komunitetit ndërkombëtar”, tha Hovenier.

Ai tha se vendi i tij do që të shoh Kosovën të përparojë dhe shtoi se s’ka asnjë dyshim që Kosova ka përparuar.

“Ka qenë kënaqësia dhe nderi im të luaj një rol të vogël në mbështetjen e këtij procesi. Së bashku me popullin amerikan, ju uroj të gjithëve çdo sukses. Do të largohem si një mik edhe më i fortë i Kosovës sesa isha kur mbërrita”, përfundoi ai.

 

Show More

Related Articles

Back to top button