Lidhja e Shoqatave të personave me diabet të Maqedonisë së Veriut (LSHPD), në emër të 23 organizatave lokale të personave me diabet dhe në emër të mbi 130.000 personave me diabet në vend, shprehu pakënaqësi të madhe me buxhetin e miratuar në pjesën për programin e terapisë me insulinë.
Ata thonë se shuma prej 860 milionë denarë ka mbetur e njëjtë me vitin paraprak, ndërsa në vitin 2025 presin tender të ri për blerjen e terapisë me insulinë për periudhën 2025-2027, ndërsa kanë marrë edhe premtime nga ministri i Shëndetësia, Arben Taravari, për rritjen e mbulimit të numrit të personave me diabet me aparatura moderne (sensorë CGM dhe pompa insuline) që përballen me komplikacione të rënda shëndetësore nga kjo sëmundje kronike.
“Me këtë lloj buxheti nuk do të jetë e mundur të mbulohen nevojat aktuale të insulinës dhe terapisë për njerëzit me diabet, pa përmendur ndihmat që tashmë janë në dispozicion në vendet përreth nesh – Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi. Sipas përvojës së viteve të kaluara, buxheti rritej nga viti në vit dhe tani ka mbetur i njëjtë me vitin paraprak, në një vit kur e dimë se do të nevojiten më shumë mjete. Si Lidhje, ne jemi të shqetësuar se, për shkak të mungesës së buxhetit, cilësia e insulinës dhe terapisë për njerëzit me diabet do të ulet, gjë që do të shkaktojë pasoja tragjike për shëndetin dhe jetën e 8 për qind të popullsisë. Trendi i shfaqjes së diabetit në vendin tonë është në rritje dhe fatkeqësisht nuk po shohim që qeveria të ketë një përgjigje adekuate që kjo popullatë të ketë terapinë dhe mjetet më moderne të jetës”, thuhet në letrën e Lidhjes drejtuar Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Ata apelojnë që të gjitha palët e përfshira gjatë projeksionit të tenderit të ri të ndjekin nevojat dhe pritshmëritë e tyre dhe të ruajnë vazhdimësinë në trajtimin e pacientëve. Ata kërkojnë që të përfshihen aktivisht në të gjitha hapat e përcaktimit të tenderit të ri – përfaqësuesit e tyre të jenë pjesë e mbledhjeve dhe punës së Komisionit Kombëtar të Diabetit.
Ndryshe, siç kanë paralajmëruar, Sindikata, shoqatat lokale, do të organizojnë mbi 130 mijë persona me diabet dhe familjarët e tyre, në një demonstrim aktiv të revoltës para institucioneve shëndetësore dhe qeveritare në vend./Telegrafi/