Më shumë se një mijë punësime të paralajmëruara në shëndetësi kanë kaluar filtrin qeveritar dhe kanë marrë aprovime nga Ministria e Financave, konkurset do të shpallen në janar, njoftoi ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, i cili sot vizitoi Spitalin e Përgjithshëm në Gostivar.
Procedurat në qeveri kanë kaluar, tani i takon drejtorëve. Për ata punonjës që kishin kontrata u zgjatën edhe për tre muaj, që të mos largoheshin nga puna. Bëhet fjalë për një shtrirje të madhe prej rreth 1200 personash nga personeli i mesëm mjekësor dhe duhet t’i nënshtrohen testimeve. Pres që të bëhet deri në mes të janarit, tha Taravari.
Ai theksoi se së shpejti duhet të shpallet lista me 315 specializantë që do të shkojnë në specializime dhe se në mesin e tyre janë 15 studentë të mjekësisë që treguan njohuritë më të mira.
Taravari e vlerësoi të fortë dinamikën e punësimit dhe paralajmëroi se do të vazhdojë, duke theksuar se një volum i tillë i punësimit mbi 1500 nuk është parë më parë.
Duhet të rishikojmë edhe buxhetet e institucioneve shëndetësore për të parë se ku duhet të investohen, por fokusi do të jetë sërish te burimet njerëzore, sepse nuk kemi nevojë për spitale dhe pajisje të reja pa punëtorë shëndetësorë, theksoi Taravari.