Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka thënë se 500 ton miell gruri janë rrugës për në Siri.
Sipas mediave Ukraina ishte zotuar të furnizonte Sirinë me grurë pas rënies së diktatorit Bashar al Assad dhe tha se ishte në bisedime aktive me administratën e vendit të Lindjes së Mesme.
Rusia, eksportuesi më i madh në botë i grurit dhe mbështetësi kryesor i regjimit të Assadit, kishte dominuar shitjet në Siri, por furnizimet u pezulluan pasi dy anije që transportonin grurë rus nuk arritën në vend.
Në vend të tyre, Ukraina tha se po dërgon stoqe përmes skemës së saj ‘Grain From Ukraine’ me ndihmën e Programit Botëror të Ushqimit.
“Siç u premtuam, ne po mbështesim popullin sirian në kohën e tyre të nevojës”, tha Zelenskyy këtë mëngjes në mediat sociale, shkruan A2 CNN.
“Mielli i grurit është planifikuar që në javët në vijim të shpërndahet për 33250 familje ose 167000 persona.
Çdo pako peshon 15 kilogramë dhe mund të ushqejë një familje pesë anëtarëshe për një muaj, shkruan A2 CNN.
Ne i urojmë Sirisë dhe popullit të saj siguri, stabilitet dhe rimëkëmbje. Ne e dimë vlerën e vërtetë të këtyre gjërave”, tha Zelensky.