Manchester City, gjithnjë e më shumë i përfshirë nga një valë emocionale dhe negative gjatë dy muajve të fundit. Barazimi i djeshëm 1-1 kundër Evertonit në “Etihad Stadium” nuk është pika që do të derdhë gotën, tashmë të mbushur me zhgënjim dhe dëshpërim, megjithatë Pep Guardiola nuk mund të jetë i kënaqur me vetëm një pikë të marrë përpara tifozëve të vet, një ditë pas Krishtlindjes.
Trajneri i Manchester City, në intervistë për “Amazon Prime”, u shpreh kështu për rezultatin e ndeshjes së “Boxing Day”: “Luajtëm vërtet mirë, por jemi në një periudhë ku ndodh pikërisht kjo: krijojmë, por pësojmë gol që në goditjen e parë që na vjen.
Gjithsesi, po, duhet të vazhdojmë kështu. Paraqitja kundër këtij ekipi ishte vërtet e mirë, si në fazën sulmuese, ashtu edhe në atë mbrojtëse. Kemi goditur shumë herë brenda zonës, por për fat të keq nuk arritëm të marrim rezultatin që dëshironim”.
Për ndeshjen e ardhshme kundër Leicesterit, e planifikuar më 29 dhjetor: “Tani është koha të rikuperojmë dhe të shkojmë atje me mentalitetin më të mirë të mundshëm. Kjo është ajo që duhet të bëjmë”.