Joe Biden dhe Donald Trump kanë nderuar ish-presidentin e SHBA-së dhe fituesin e çmimit Nobel për Paqe, Jimmy Carter, i cili ka vdekur në moshën 100-vjeçare.
Carter, i cili jetoi më gjatë se çdo president në histori, vdiq të dielën pasdite në shtëpinë e tij në Plains, Georgia.
Biden e përshkroi atë si “një njeri me parime, besim dhe përulësi”, ndërsa Trump tha se të gjithë amerikanët i detyrohen Carterit mirënjohje.
Carter, nga një fermer arriti të bëhej president i SHBA-së në vitin 1977, përpara se të detyrohej të largohej nga Shtëpia e Bardhë pas vetëm një mandati katër-vjeçar, kur Ronald Reagan fitoi zgjedhjet e ardhshme.
Pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, reputacioni i tij u rikthye përmes punës humanitare që i dha atij Çmimin Nobel për Paqe.
“Sot, Amerika dhe bota humbën një udhëheqës të jashtëzakonshëm, burrë shteti dhe humanitar”, thanë presidenti Biden dhe zonja e Parë Jill Biden në një deklaratë.
“Për të gjithë të rinjtë në këtë komb dhe për këdo që është në kërkim të asaj që do të thotë të jetosh një jetë me qëllim dhe kuptim – një jetë të mirë – studioni Jimmy Carter, një njeri me parime, besim dhe përulësi”, shtuan ata.
“Ai tregoi se ne jemi një komb i madh, sepse ne jemi një popull i mirë – i denjë dhe i nderuar, i guximshëm dhe i dhembshur, i përulur dhe i fortë”, përfunduan çifti.
Biden njoftoi se një ditë zie kombëtare do të mbahej më 9 janar, me amerikanët të inkurajuar për “t’i bërë homazhe” presidentit të ndjerë, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Ai gjithashtu urdhëroi që flamujt të qëndrojnë në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat publike dhe ushtarake për 30 ditë, një periudhë që përfshin inaugurimin e presidentit të zgjedhur Trump.
Ndërsa Trump postoi në Truth Social: “Sfidat me të cilat u përball Jimmy si president erdhën në një moment kyç për vendin tonë dhe ai bëri gjithçka për të përmirësuar jetën e të gjithë amerikanëve”.
“Për këtë, ne të gjithë i detyrohemi atij mirënjohjeje”, shtoi Trump.
Udhëheqës të tjerë botërorë gjithashtu e nderuan Carter.
Mbreti Charles III tha: “Përkushtimi dhe përulësia e tij shërbyen si frymëzim për shumë njerëz, dhe e kujtoj me shumë dashuri vizitën e tij në Mbretërinë e Bashkuar në 1977″.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer deklaroi se Carter ishte “i motivuar nga besimi dhe vlerat e tij të forta” dhe se ai “ripërcaktoi post-presidencën me një angazhim të jashtëzakonshëm për drejtësinë sociale dhe të drejtat e njeriut brenda dhe jashtë vendit”.
Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Carter “ishte një lider që shërbeu gjatë një kohe kur Ukraina nuk ishte ende e pavarur, megjithatë zemra e tij qëndroi fort me luftën e vazhdueshme për liri”.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se ai kishte qenë një “avokat i palëkundur për të drejtat e më të cenuarve dhe ka luftuar pa u lodhur për paqen”.
Ndryshe, presidenca e Carter do të mbahet mend për përpjekjet e tij në trajtimin e problemeve akute ekonomike dhe disa sfidave të politikës së jashtme, duke përfshirë krizën e pengjeve në Iran, e cila përfundoi me vdekjen e tetë amerikanëve.
Megjithatë, pati një triumf të dukshëm të politikës së jashtme në Lindjen e Mesme kur ai ndihmoi në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje midis Egjiptit dhe Izraelit, të nënshkruar në Camp David në SHBA në 1978.
Pasi humbi zgjedhjet në vitin 1980, ai i kaloi vitet e tij të mbetura duke u përpjekur të adresonte problemet globale të pabarazisë dhe sëmundjeve.
Ai themeloi Qendrën Carter në 1982 për të ndjekur vizionin e tij të diplomacisë botërore dhe mori Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2002 për përpjekjet e tij me fondacionin për të promovuar të drejtat e njeriut në mbarë botën.
Carter ka lënë pas katër fëmijët e tij, 11 nipër e mbesa dhe 14 stërnipër.