LajmeMaqedoni

EKSPLORIMI I NDËRVEPRIMIT TË KREDITIMIT DHE RRITJES EKONOMIKE

Nëse e parashtrojmë pyetjen se blerja e një patundshmërie (shtëpi, apartament) është investim apo konsum në makroekonomi, edhe pse është komplekse, me një probabilitet të lartë mund të marrim përgjigjen e pyetjes përkatëse. Blerja e një shtëpie të përdorur nuk merret parasysh në llogaritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, sepse nuk krijohet asgjë të re. Një shtëpi do të hynte në konsum (C) me formulën PBB = C+I+G+X-M. Në ekonomi, që nga revolucioni kejnsian i viteve 1930, „investimi” zakonisht është menduar si një investim në mjetet e prodhimit ose kapitalin. Një shtëpi pothuajse nuk përdoret ndonjëherë për të prodhuar diçka dhe zakonisht është e mira e fundit. Kështu, zakonisht nuk konsiderohet një investim në këtë kuptim të termit.

Qasja e kundërt është se blerja e një shtëpie konsiderohet e barabartë me një blerje të vetme me një vlerë të reduktuar të qirave të mundshme në të ardhmen. Çmimi i shtëpisë konsiderohet vlera me të cilën pronari do ta shiste atë, dhe qiramarrësi do ta huazonte atë. Prandaj, një shtëpi konsiderohet një aktiv që mund të sjellë një kthim dhe do të binte nën kategorinë e „investimit”.

Sipas Institutit të Statistikave të Francës, termi (Formimi Bruto i Kapitalit Fiks) është më kufizues se ai i investimit siç përdoret në ekonomi ose në gjuhën e përditshme. Termi investim zakonisht përshkruan investimin në prodhim, pjesa më e madhe e të cilave korrespondon në makineri dhe ndërtesa, por që nganjëherë shtrihet në asete si toka në të cilën ndodhen ndërtesat dhe banesat industriale. Pothuajse gjysma e totalit të investimeve fikse në ekonomi përbëhet nga ndërtesa ose ndërtime. Amvisëritë në Holandë janë pothuajse tërësisht të varura nga kreditë bankare, veçanërisht nga kreditë hipotekare. Megjithatë, blerjet e banesave nuk janë pjesë e PBB-së, kështu që goditjet e ofertës së kredisë ndikojnë vetëm në disponueshmërinë e kredisë hipotekore, konsumi i amvisërive mund të mos varet shumë nga ato goditje. Krahasuar me amvisërinë, korporatat, veçanërisht korporatat e mëdha, mbështeten më pak në kreditë bankare si burim financimi. Së pari, në Holandë, pjesa më e madhe e kredisë së amvisërisë është kredi hipotekare, e cila nuk hyn drejtpërdrejt në përkufizimin e konsumit në llogaritë kombëtare, sepse blerja e një shtëpie ekzistuese nuk është pjesë e konsumit. Së dyti, amvisëritë që kanë aktive likuide mund t’i përdorin ato për të zbutur konsumin.

Përveç vendeve të lartpërmendura, le të përqendrohemi në Republikën e Maqedonisë së Veriut në analizën e kategorive ku bëjnë pjesë kreditë për banim. Sipas shpjegimeve metodologjike të Bankës Popullore, edhe kreditë e dhëna për personat fizikë ndahen sipas qëllimit të kredisë, në këto grupe: kredi konsumatore, kredi për banesa, kredi për makina dhe limitet kreditore (karta kreditore dhe shuma e bilancit negativ ose e njohur si „minusi i miratuar”). Kjo do të thotë se kreditë për banesa janë në kategorinë e kredive për individë, pra më konkretisht në kategorinë e kredive për personat fizikë. Nga ana tjetër, kur kontaktuam Entin Shtetëror Statistikorë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, na udhëzuan në shpjegimet metodologjike sipas sektorëve institucionalë, ku çdo apartament i blerë, ndërtim i shtëpisë me mjete vetanake apo me mjete të huazuara i takon kategorisë S.14 – amvisërisë. Definimi i „amvisërisë” përfshin persona, si dhe grupe personash si konsumatorë dhe/ose si sipërmarrës, të cilët prodhojnë mallra të destinuara për treg dhe/ose ofrojnë shërbime financiare dhe jofinanciare. Gjithashtu, ky sektor përfshin persona dhe grupe personash që prodhojnë mallra dhe shërbime jofinanciare ekskluzivisht për përdorim të tyre. Sipas raportit vjetor statistikor, në vitin 2020 dhe vitet e fundit vërehet se në investime, në asete fikse sipas strukturës teknike, punimet ndërtimore përbëjnë rreth 57,4%; Sipas formës së pronësisë, forma private mbulon rreth 80.6% dhe sipas qëllimit të investimit, ndërtimi mbulon rreth 34.4% të totalit të aktiveve kapitale të investuara.

Për këtë arsye, kreditë për banesa përfshihen nga njëra anë në kategorinë e kredisë për persona fizikë dhe nga ana tjetër kontributi i tyre përfshihet në kategorinë e investimeve në mjete fikse dhe për rrjedhojë ato shkaktojnë një intensitet më të madh të rritjes së formimit bruto të kapitalit fiks si përqindje e PBB-së, dhe në të njëjtën kohë ulje e pjesëmarrjes në konsumin final të amvisërisë. Mesatarisht, sipas vlerësimit të të dhënave mujore për kreditë për banesa sipas bazës së të dhënave të Bankës Popullore për periudhën 2009M01-2022M06, kreditë e emetuara për banesa përbëjnë rreth 28% të totalit të kredive të lëshuara për persona fizikë në vend. Pra, kreditëe amvisërisë kanë ndikim me intensitet më të lartë në investimet vendase në krahasim me kredit e ndërmarjeve që është në kundërshtim me teorine ekonomike, por e vërtet empirike në ekonominë vendase.

Rritja e aktivitetit kreditues të korporatave shkakton rritje me dinamikë më të madhe të konsumit final të amvisërive në strukturën e PBB-së, dhe në të njëjtën kohë dinamikë më të ngadaltë të investimeve, që mund të jetë edhe për shkak të efekteve shumëfishuese të investimeve, pra rritja e punësimit dhe e pagave të cilat shkaktojnë efekte pozitive në periudhat e ardhshme kohore.

Gjithashtu, borxhi i sektorit të korporatave dhe sektorit të amvisërive në RMV mund të përmendet si arsye që kreditë e ndërmarrjeve kontribuojnë me një intensitet më të ulët në pjesëmarrjen e investimeve në krahasim me intensitetin më të madh të pjesëmarrjes së konsumit final të amvisërisë si (%) e PBB-së. Sipas programit të reformave ekonomike në vend, shuma e borxhit të sektorit të korporatave vazhdon të rritet, por më ngadalë, gjë që ka ndikuar në uljen e lehtë të normës së borxhit të sektorit të korporatave. E matur përmes pjesëmarrjes në PBB është mbi 2/3 e PPB-së. Rritja e borxhit në masë të madhe ka ardhur nga rritja e financimit me borxh të sektorit të korporatave nga jashtë, dhe rritja e përshpejtuar e borxhit të brendshëm ka kontribuar edhe në forcimin e mbështetjes kreditore të korporatave nga sektori bankar vendas. Përkundër rritjes së borxhit në vitet e kaluara, niveli i përgjithshëm i borxhit të ekonomive së amvisërive nuk është i lartë, gjë që vërehet veçanërisht përmes pjesëmarrjes së saj në PBB, e cila ndër vite është rreth ¼ e PBB-së.

Sipas Anketës së aktivitetit kreditor për vitet e fundit, nga këndvështrimi i faktorëve që ndikojnë në kërkesën për kredi të korporatave, vërehet trendi në rënie i kredisë për investime. Nga analiza, faktorët „investimet fikse” dhe „investime në inventarë dhe kapital qarkullues” kontribuojnë në një ulje të mëtejshme të kërkesës, por faktori i parë ka një efekt më të dobët; Ndërsa faktori „ristrukturim i borxhit” vazhdon të kontribuojë në një rritje të kërkesës. Nëse analizojmë para periudhës së Corona krizës, anketat tregojn se faktorët „investime në inventar dhe kapital qarkullues” dhe „ristrukturimi i borxhit” janë faktorët (nevojat) kryesore të klientëve në krahasim me nevojën për kredi me destinim për „investime në mjete fikse”. Të dhënat nga anketat konfirmojnë se numri më i madh i kredive të korporatave në vend janë të destinuara për investime në inventarë dhe kapital qarkullues sesa në mjete fikse, gjë që është arsyeja e intensitetit më të ngadaltë të pjesëmarrjes në investime si (%) të BPP-së.

Shkruan: Doc. Dr. Dashmir Saiti

Show More

Related Articles

Back to top button