LajmeRajon

Haxhiu kërkon mekanizëm për mbikëqyrjen e Gjykatës Speciale

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e konsideron të paprecedent faktin se Gjykata Speciale nuk i jep llogari asnjë institucioni në Kosovë.

Ajo thotë se patjetër vendi ynë duhet ta krijojë një mekanizëm mbikëqyrës ndërkombëtarë apo vendor për Dhomat e Specializuara, veçanërisht në aspektin e të drejtave të personave të akuzuar.

Haxhiu në një intervistë për KosovaPress ka folur edhe për rezistencën që hasën për të jetësuar reformat në sistemin e drejtësisë, synimet edhe për një mandat qeverisës dhe nevojën për shpalljen e konkursit të ri për kryeprokurorin e shtetit.

E para e drejtësisë në vend thotë se për gjithçka që ka ndodhur në Hagë i kanë adresuar në kuadër të takimeve me krerët e këtij institucioni të drejtësisë. Por, siç shprehet ajo përveç kësaj nuk kanë asnjë kompetencë tjetër.

“Kemi diskutuar brenda nesh si institucione në raport me kërkesat që të ketë një organizëm, një mekanizëm që mbikëqyrë punën e Gjykatës Speciale. Nuk është që ka pasur pajtime se kush do të jetë mekanizmi, si do të krijohet mekanizmi, a do të jetë ndërkombëtar apo vendor. Kjo është në kuadër të kompetencave të Kuvendit të Republikës së Kosovës…

Edhe përkundër faktit që kemi diskutuar, jemi takuar shumë shpesh, ka mendime të ndryshme, prandaj derisa nuk kemi një mendim të përbashkuar ose unifikues mendoj se duhet ta diskutojmë sërish. Është e rëndësishme që të ketë një mekanizëm që mbikëqyrë të paktën të drejtat e personave që po akuzohen, anshmërinë e gjykatës dhe rrethanat e tjera dhe rrethanat tjera që lidhen me punën e gjykatës. Mendoj se institucionet, të cilat nuk kanë mbikëqyrje nga askush, mendoj se është shumë problem…Është e paprecedent mënyra se si është themeluar, është e paprecedent mënyra se si nuk i jep llogari askujt. Prandaj, natyrisht që duhet Kuvendi i Republikës së Kosovës ta gjejë, megjithatë mund të mos jetë propozimi më i mirë i mundshëm, por të paktën ta kem një mekanizëm që e ka përsipër këtë“, theksoi ajo.

Ministrja Haxhiu ka deklaruar se kanë hasur në rezistencë nga opozita për të çuar përpara reformën në sistemin e drejtësisë.

“Kudo që ne nuk jemi përballur me një kundërshtim ose me një rezistencë ndaj një reformë ne kemi arritur që ta adresojmë çështjen. Pra, njësoj do të ishte nëse ne nuk do të kishim rezistencë ndaj reformave apo kundërshtime të qëllimta për ta vonuar, për ta penguar reformën nga ana e opozitës kryesisht. Por, gjithashtu ju e dini që gjatë kësaj kohe ne jemi përballur me sfidën më të madhe dhe po ashtu me vonesat që Gjykata Kushtetuese na ka shkaktuar në raport me çështje që kanë qenë objekt shqyrtimin në Gjykatën Kushtetuese. Ne kemi thënë në vazhdimësi që opozita ka të drejtën e kontestimit të ligjeve në Gjykatën Kushtetuese, por është dukur sheshit që tendenca e opozitës ka qenë që t’i bllokojë këto reforma, dhe t’i vonojë reformat e tilla në mënyrë që të njëjtat të mos arrijnë të jetësohen”, shprehet Haxhiu.

Vonesat e Kushtetueses për ministren Haxhiu janë tendencioze dhe synim të vetëm kanë prolongimin e reformës në drejtësi.

“Unë mendoj se kanë qenë të qëllimta. Qëllimin e kanë pasur që të na vonojnë reformat në drejtësi, ju e dini që ne kemi zgjedhur të punojmë bashkë me Komisionin e Venedikut për secilën reformë të rëndësishme qoftë për vettingun, Këshillin Prokurorial, Byronë për Konfiskimin e Pasurisë. Nëse ne e kemi marrë ‘dritën e gjelbër’ nga Komisioni i Venecias, për neve ka qenë e mjaftueshme që reforma është në rregull dhe në përputhje me standardet. …

Disi, si pa ndjesi, duke qenë që reformat në drejtësi është e rëndësishme, ne kemi pritur që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë në përputhje me urgjencën, në përputhje me prioritetet… Mendoj se ka qenë e qëllimit tendencë për të na vonuar për të na penguar por, si me thënë mund të ketë vonesa, por nuk mund ta ndalin që Kosova të jetë shtet i së drejtësisë. Pavarësisht këtyre vonesave, ne jemi të vendosur dhe këmbëngulës që reforma në drejtësi është e rëndësishme, andaj nuk do të heqim dorë asnjëherë“, thotë ajo.

Dërgimin për herë të dytë në Kushtetuese nga PDK-ja të Ligjit të Byrosë për Konfiskimin dhe Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ministrja e Drejtësisë e quan plan të kësaj partie opozitare për të mos dhënë llogari për pasurinë e fituar sa ishin në qeverisje.

“Së pari, nuk është diçka që ne nuk e kemi pritur, duke pasur parasysh që PDK-ja e ka qëllim, e ka plan, që të mos jep llogari asnjëherë për pasurinë që e kanë krijuar gjatë gjithë kohës sa kanë qenë në qeverisje. Duket se këta kanë besuar që asnjëherë nuk do të ketë në Kosovë institucione të pavarura, para të cilave ata duhet të japin llogari. Kushdo që ka krijuar pasurinë në kurriz të qytetarëve të Kosovës duke mbajtur një pozitë publike, kushdo që ka keqpërdorur buxhetin e shtetit, detyrën zyrtare duhet të jep llogari, për pasurinë, por edhe të përgjigjet penalisht. Ne kemi vlerësuar që ky ligj është tejet i rëndësishëm… Kjo do të na shkaktojë disa vonesa duke marr parasysh praktikën që kemi me Gjykatën Kushtetuese dhe është e qartë që do të na shkaktojë disa vonesa, por siç thotë populli ‘Veç vonim, se nuk ka shpëtim’”, shprehet ministrja e Drejtësisë.

Në intervistën për KosovaPress, ministrja e Drejtësisë ka shprehur kritikat e saj për Këshillin Prokurorial dhe qasjen karshi përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit, pozitë kjo e cila për më shumë se dy vjet ka mbetur me ushtrues detyre. Sipas saj, KPK-ja duhet sa më shpejt të shpallë konkurs të ri për këtë pozitë.

“Vlerësoj që konkursi duhet të shpallet dhe Kosova ka nevojë për një kryeprokuror me integritet të lartë profesional, i pa ndikuar nga individët, oligarkët, grupet e interesit, qeveria, opozita, por që punon me përpjekjen më të madhe që të ndihmojë në pavarësimin e sistemit të drejtësisë. Besoj që kryeprokurori i shtetit ka ndikim të madh në këtë, prandaj është e rëndësishme që konkursi të shpallet dhe të këtë një proces meritor dhe profesional”, deklaroi ajo.

Ndërkohë që nga fushata zgjedhore na ndajnë edhe pak ditë, ministrja Haxhiu e cila është edhe anëtare e kryesisë në Vetëvendosje beson se kjo parti do ta udhëheqë vendin edhe për një mandat.

“Vlerësoj se do të vazhdojmë qeverisjen në mandatin e ardhshëm katërvjeçar, sigurisht që për këtë vendosin qytetarët, por duke parë edhe hulumtimet e fundit, sondazhe të ndryshme, mbështetjen në terren, sepse ju e dini që pjesën më të madhe ne jemi po ashtu në terren, ne besojmë që do ta vazhdojmë fuqishëm qeverisjen me mbështetje shumë të madhe nga qytetarët e Republikës së Kosovës, prandaj po them që reformat të cilat i kemi nisur dhe që për arsye që janë penguar nga opozita, me vonesat që na ka shkaktuar Gjykata Kushtetuese dhe ende nuk janë jetësuar, ne do të arrijmë që t’i përmbyllim në mandatin e ardhshëm”, thotë Haxhiu.

Ministrja Haxhiu me ardhjen e saj në krye të këtij dikasteri ka shtyrë përpara projektligje që realizojnë reformën në drejtësi.

Derisa për procesin e vettingut, përgatitjen e bazës ligjore, ekzekutivi kosovar e nisi në tetor 2021 ku u miratua koncepti i dokumentit për vetting-un në drejtësi. Më pas për këtë koncept-dokument u kërkua mendimi nga Komisioni i Venecias i cili fillimisht rekomandoi verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe prokurori.

Pas hartimit të amendamenteve kushtetuese nga 40 deputetë të Kuvendit, kryeparlamentari Glauk Konjufca në fillimin e marsit 2023 i dërgoi amendamentet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese i kishte hap rrugë vettingut në drejtësi.

Ndërsa, me vlerësimin për kushtetueshmëri është ballafaquar edhe ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili njëherësh u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, por edhe ligji i cili u ridërgua në Kuvend dhe u votua, më pas nga opozita përsëri është dërguar në Kushtetuese.

Opozita e përballi Gjykatën Kushtetuese dy herë me Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili aktualisht ndodhet në Kushtetuese. /kp/

 

Show More

Related Articles

Back to top button