Gjatë vitit 2024, rruga eurointegruese e Maqedonisë së Veriut është karakterizuar nga dinamika të reja politike dhe diplomaci intensivisht të tensionuar, sidomos pas gjysmës së dytë të vitit. Qeveria e kaluar kishte ndjekur një qasje të fokusuar në plotësimin e kushteve të BE-së, përfshirë ndryshimet kushtetuese për njohjen e pakicës bullgare, një kërkesë që shkaktoi tensione të brendshme politike dhe shoqërore. Megjithatë, qeveria paraprake nuk i kishte numrat për t’i bërë ndryshimet kushtetuese, ndërsa zgjedhjet parlamentare ishin në prag. Më 8 maj, partia në pushtet LSDM, pësoi debakël, duke humbur në të dy palë zgjedhjet, presidenciale dhe parlamentare. Pas ardhjes në pushtet të Hristijan Mickoskit dhe qeverisë së re, u propozua një strategji ndryshe. Mickoski deklaroi synimin për të ndryshuar Kornizën Negociuese të BE-së për të kufizuar kërkesat bilaterale dhe për të shtyrë zbatimin e ndryshimeve kushtetuese deri pas anëtarësimit të plotë. Ky propozim sipas tij, synon të mbrojë sovranitetin kombëtar, por gjithashtu ka krijuar një situatë të pasigurt për marrëdhëniet me Brukselin. Nga ana tjetër, Shqipëria e cila ishte në të njejtën pozitë si RMV-ja, eci përpara duke hapur negociatat me BE-në, raporton Portalb.mk.
Ndikimi i ndryshimit të pushtetit në eurointegrime
Në maj 2024, Maqedonia e Veriut kaloi përmes një periudhe të rëndësishme politike. Pas humbjes së partisë LSDM (Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë) në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, partia VMRO-DPMNE, nën drejtimin e Hristijan Mickoskit, mori pushtetin. Ky ndryshim ndikoi në politikat e eurointegrimeve, pasi Mickoski kishte propozuar ndryshime të mundshme në Kornizën Negociuese të BE-së, me qëllim të kufizimit të kërkesave bilaterale dhe shtyrjes së ndryshimeve kushtetuese për një periudhë të mëvonshme, pas anëtarësimit të plotë në BE. Ky propozim shkaktoi tensione me Brukselin, që kërkonte një qasje më të shpejtë dhe të qartë për përmbushjen e kushteve të BE-së.