GostivarLajme

Gostivari ndjen pasojat e punimeve në Korridorin 8, qyteti zgjohet çdo ditë në rrugë me baltë

Xhelili: Pluhuri që shkaktojnë kompanitë ndërtimore dhe guroret ndotin edhe ajrin

Rrugë me baltë! Kështu duken rrugët e Gostivarit, ndërsa autoritete thonë se kjo vjen si pasojë e pluhurit që shkaktohet nga kompania që zhvillon punimet në Korridorin 8 dhe makineritë e saj. Zudi Xhelili – udhëheqës i Departamentit për Ekologji pranë Komunës së Gostivarit, thotë se me përfaqësuesit e “Bechte&Enka” ka pasur takim për të marrë masa, por edhe përskaj premtimit që i është dhënë, nga kompania në fjalë deri më tani nuk ka pasur asnjë veprim.

“Unë pata një takim me udhëheqësit e kompanisë “Bechet & Enka” që ndërton Korridorin 8 nga Gostivari në Bukojçan, ishin në zyrën time dhe unë ua tregova të gjitha tabelat, të gjitha fotografitë satlitore që ishin pjesë e studimit. Ata duket se ishin njerëzit më kompetent të kësaj kompanie dhe pasi i panë rezultatet, më premtuan se do të marrin masa konkrete. Unë u propozova që ata nëpërmes mjeteve të veta të stërpikin gjatë minimit, gjatë gropimit dhe punëve me automjete për shkak se kjo lloj ndotje cilësohet se vjen nga automjetet e lëvizshme si kamionë, eskavatorë, etj. Ata premtruan se do të bëjnë një lloj zgjidhje, mirëpo ne ende nuk e kemi parë zgjidhjen”.

Sipas një hulumtimi të zhvilluar kohë më parë nga UNDP-ja, në Gostivar ndotja më e madhe nuk vjen nga amvisëritë dhe komunikacioni rrugor, por nga pluhuri që shkaktojnë kompanitë ndërtimore dhe guroret. Xhelili thotë se kjo situatë mund të bëj që banorët të ngrihen në protestë, gjë të cilën tashmë banorët të disa fshatrave e kanë paralajmëruar.

“Kishte disa lajmërime nga banorët e fshatit Zdunjë, Raven, Vërtok dhe Reçan të cilët u ankuan dhe filluan të kanosen se do të bëjnë edhe bllokimin e rrugëve nëse nuk merren masa, pasi ato ankohen se duhet ti lajnë shpesh veturat e tyre dhe ndjeshin një lloj penegese në këtë drejtim”.

Në Gostivar rreth mesditës së sotme niveli i ndotjes ishte mbi 20 grimca të dëmshme PM 10 dhe 2.5. Xhelili thotë se krahasuar me qytete tjera, Gostivari nuk ka ndotje alarmante gjatë kësaj periudhe.

“Sot kemi marrë informata ku kishte diku 73, që d.m.th se 50 quhet kufiri dhe ne kemi pak mbi normën e kufizuar të ndotjes. Pra, nuk jemi në nivelin e situatave ekstreme sikurse Shkupi, Tetova, Kumanova dhe disa qytete të tjera”.

I pyetur se pse nuk janë në funksion senzorët për monitorimin e cilësisë së ajrit në Gostivar, Xhelili thotë se para një viti ka përfunduar projekti për monitorim të ajrit dhe është përpiluar kadastër që detekton ndotësit. Tani, siç ai thotë, punohet në projekte konkrete për uljen e ndotjes.

“Senzorët ka një vit e diçka që nuk punojnë për shkak se ne pjesën e monitorimit të ajrit e mbyllim duke marrë informata, dhe pastaj kemi edhe kadastrën e ndotësve, i dimë burimet e ndotjes. Pastaj e kemi planin për zvoglimin e ndotjes dhe programin që kam përpiluar për sivjet tejkalon shumën prej 17 milionë e 300 mijë denarë i cili është një programë shumë ambicioz për dallim prej komunave tjera. Mendoj se mund të jetë programi më i përkushtuar për zvogëlimin e ndotjes së ajrit”.

Ndryshe, në Gostivar të gjitha institucionet publike vazhdojnë të ngrohen me naftë, ndërsa spitali i qytetit për ngrohje përdorë mazutin si lëndë djegëse. Këto dy lloj lëndësh djegëse kur digjen, lëshojnë kimikate potencialisht të dëmshme në ajër. Ato përbëhen nga molekula shumë komplekse, me një përqindje të lartë të karbonit dhe azotit, si dhe përbërës të squfurit. Gjithashtu gjatë djegies lëshojnë grimca të ngurta (hiri, bloza, metali dhe ndotës të tjerë), substanca që nuk digjen por vendosen në atmosferë dhe degradojnë cilësinë e ajrit.

Show More

Related Articles

Back to top button