Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se është duke u organizuar një takim mes tij dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Republikani që do të inaugurohet më 20 janar në Shtëpinë e Bardhë nuk dha ndonjë kohë kur mund të mbahet ky takim, raporton televizioni BBC.
“Ai dëshiron që të takohemi dhe po e organizojmë këtë [takim” – tha Trumpi në komentet që i bëri në rezidencën e tij në Florida.
Agjencia ruse e lajmeve, “Tass”, e citon zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të ketë thënë se Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë kërkuar formalisht një takim mes dy presidentëve.
Trumpi ka premtuar se do ta negociojë fundin e luftës në Ukrainë shpejt pasi të vijë në pushtet dhe ka shprehur skepticizëm për mbështetjen ushtarake dhe financiare amerikane për Kievin.
“Presidenti Putin dëshiron që të takohemi. Ai e ka thënë këtë edhe publikisht dhe ne duhet t’i japim fund asaj lufte. Ajo është një rrëmujë e përgjakshme” – deklaroi presidenti i zgjedhur amerikan.
Ai e ka nominuar ish-këshilltarin për Siguri kombëtare dhe gjeneralin e pensionuar, Keith Kellog, për emisar të posaçëm për Ukrainën dhe Rusinë.