Brenda 24 orësh, AccuWeather pothuajse e ka trefishuar vlerësimin e saj paraprak për dëmet totale nga zjarret në Kaliforni.
Projeksioni i fundit i tyre thotë se humbjet mund të arrijnë deri në 150 miliardë dollarë. Më herët vlerësimi ishte për 57 miliardë dollarë.
“Këto zjarre apokaliptike, që lëvizin me shpejtësi dhe që drejtohen nga era, kanë krijuar një nga katastrofat më të kushtueshme të zjarreve në historinë moderne të SHBA-së,” thotë shefi i meteorologjisë në AccuWeather, Jonathan Porter.
Zjarret kanë shpërthyer në zonat ku ndodhen disa prej pronave më të shtrenjta në Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet thonë se më shumë se 5.300 struktura janë shkatërruar nga zjarri i Palisades, ndërsa midis 4.000 dhe 5.000 struktura janë dëmtuar ose shkatërruar nga zjarri në zonën e Eaton.
Industria e sigurimeve po përgatitet gjithashtu për një goditje të madhe, me analistët nga firma si Morningstar dhe JP Morgan që parashikojnë humbje të siguruara prej më shumë se 8 miliardë dollarë.