Shtatë studentë, të cilët gjatë natës kanë bllokuar Fakultetin Juridik në Beograd, janë lënduar në tri incidente të shkaktuara nga persona të panjohur, bëhet e ditur në profilin e Instagramit, Studentët në Bllokadë.
Siç kanë thënë ata, sulmuesit kanë hedhur në drejtim të studentëve shishe qelqi dhe plastike, transmeton Telegrafi.
“Një studente është shtyrë nga shkallët dhe i ka rënë në kokë dhe më pas së bashku me pesë studentë të tjerë të Fakultetit Juridik është transportuar me autoambulancë në spital, për t’iu ofruar ndihmën e parë”, kanë shkruar studentët.
Në përfundim të ngjarjes, persona të panjohur kanë ardhur me automjete për të hequr provat nga Fakulteti Juridik. Studentët kanë mbetur të lënduar lehtë.
“Sipas asaj që pamë, në pjesën e punës që bëjmë nuk janë lënduar dukshëm. Ata nuk kishin lëndime të dukshme. Kanë qenë gjithsej shtatë”, tha mjeku kujdestar i urgjencës.
Studentët kërkojnë që personat që sulmuan kolegët e tyre të gjenden, të identifikohen dhe të ndiqen penalisht.
Videoja e postuar në të njëjtin profil në Instagram, tregon se policia ka arrestuar një person i cili dyshohet se ka marrë pjesë në sulmin ndaj studentëve.
“Sipas informacioneve që kemi aktualisht nga dëshmitarët, vetëm një person është arrestuar nga gjashtë të dyshuarit që kanë marrë pjesë në sulmin e mbrëmjes së sotme ndaj studentëve”, kanë shkruar studentët në X. /Telegrafi/