Zjarret vdekjeprurëse në zonën e Los Anxhelosit po vazhdojnë prej një jave mes përpjekjeve të zjarrfikësve për t’i vënë ato nën kontroll. Të paktën 24 persona kanë humbur jetën prej tyre. Ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim të personave të zhdukur. Zyrtarët thonë se më shumë se 7,000 objekte, shtëpi banimi, shkolla dhe biznese, janë djegur deri tani. Ekipet e zjarrfikësve kanë hasur mungesë uji ose presion të ulët të tij, në përpjekje për të shuar vatrat e zjarrit. Aktualisht zjarret në Los Anxhelos, janë shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 150 kilometrash katrorë. Më shumë se 150,000 vetë kanë marrë urdhër evakuimi.
“Në këtë kohë kemi 26 persona të raportuar të zhdukur, 17 prej tyre janë gjetur të sigurt. Nga nëntë të mbeturit, ka shumë të ngjarë që dy të jenë gjetur të vdekur, por ende nuk kemi qenë në gjendje t’i identifikojmë këta individë. Njëri ka të ngjarë të jetë gjetur i sigurt në një strehë, por refuzoi kontaktin me policinë dhe gjashtë mbeten të pagjetur. Në total, tre viktima ishin të lidhura me zjarrin. Një person vdiq në një spital, por nuk ishte raportuar më parë i zhdukur”, deklaroi Jim Mcdonnell, shef policie. /Alsat.mk