Ministria e Financave ka informuar se Buxheti për vitin 2024 është realizuar me 96% e të hyrave dhe shpenzimeve të planifikuara, me një rritje prej rreth 10% krahasuar me një vit më parë. Deficiti buxhetor është më i ulët se parashikimet duke arritur në 4.4% të BPV-së, që është 2.5 miliard denarë nën parashikimet.
Në vitin 2024 të hyrat e përgjithshme arritën në 306.3 miliard denarë (96.3% e planifikuar), ndërsa të hyrat tatimore arritën në 99.7%, me rezultate të larta për TVSH (103.8%), dhe tatimi mbi të ardhurat personale (101%).
Kontributet për sigurime shëndetësore arrijnë në 105.7 miliard denarë, me një rritje prej 14.1% në krahasim me vitin 2023. Shpenzimet në vitin 2024 arritën në 348.5 miliard denarë, janë realizuar 96.1% nga shuma e planifikuar, me investime kapitale prej 28.7 miliard denarë. Ndërtimi i Korridoreve 8 dhe 10-D është financuar plotësisht, ndërsa mjete shtesë janë drejtuar për projekte komunale dhe subvencione për bujqësinë.
Borxhi publik për vitin 2024 do të jetë në nivelin 62.2%. Sipas kritereve të Bankës Botërore, vendet me borxh publik deri në 60% të BPV-së janë mesatarisht me borxhe, dhe kur tejkalohet ky prag, vendi futet në kategorinë e borxhit të lartë. Nga Ministria shtojnë se viti 2025 nis me financa publike të qëndrueshme dhe likuide, të cilat krijojnë një bazë solide për zhvillim ekonomik.