LajmeRajon

BE: Çështja e strukturave paralele të zgjidhet përmes dialogut

Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, tha se zgjidhja për strukturat paralele serbe duhet të gjendet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Deklaratat e zëdhënëses së BE-së, Annita Hipper, pasuan vendimin e qeverisë për të mbyllur komunat paralele serbe nëpër komuna të ndryshme të Kosovës përfshire edhe institucione financiare. Ndërkohë, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare, vlerësuan se aksioni i policisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele në kohë fushate, mbajnë Kosovën larg BE-së dhe rrezikojnë aleancën me SHBA-të, në një kohë kur pushtetin do ta marr presidenti Donald Trump, i cili siç thanë ka trazuar gjithë politikën Evropiane.

Vendimi i autoriteteve të Kosovës, për mbylljen e një numri të institucioneve paralele serbe të cilat vepronin në Kosovë, hasi në kundërshti të mëdha ndërkombëtare. Përveç reagimeve përmes kumtesave, BE-ja në një konferencë për media u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që çështjen e institucioneve paralele serbe ta zgjidhë përmes dialogut.

“Ne gjithmonë kemi besuar në fuqinë e dialogut. Kjo është shumë e nevojshme. Kjo është arsyeja pse po i vendosim të gjitha përpjekjet në dialog dhe pse po kërkojmë nga palët që të bëjnë një gjë të tillë. Ju keni parë reagimin tonë. Është e rëndësishme që të vazhdohet dialogu në mënyrë konstruktive”, tha Hipper.

Pas BE-së, dhe SHBA-ve, të enjten reagoi edhe UNMIK, duke u shprehur të shqetësuar se mbyllja e këtyre institucioneve ndikon në jetën e përditshme të individëve, veçanërisht atyre nga komunitetet jo shumicë. Një numër komunash paralele të Serbisë, ashtu si dhe zyra postare dhe tatimore u mbyllën të mërkurën në dhjetë komuna të Kosovës. Vendim i cili hasi në kundërshtimin e Bashkimit Evropian dhe veçanërisht SHBA-ve, të cilat përmes një kumtese thanë se Kosova po punon kundër këshillave të Uashingtonit zyrtar. SHBA-të gjithashtu shtuan se veprimet e tilla dobësojnë besimin e tyre ndaj Kosovës dhe kufizojnë mundësitë e tyre për të ndihmuar Kosovën në rrugën euro atlantike. Në anën tjetër, njohës të çështjeve politike vendimin e autoriteteve të Kosovës, për mbylljen e institucioneve paralele, në kohë fushate e cilësojnë si veprim për përfitimin e poenëve politik.

Megjithatë, për njohësin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Shemsi Jashari, një vendim i tillë nuk do të kalojë pa pasoja.

“Zgjedhjet vijnë e shkojnë, 9 shkurti do të vijë shpejtë por pasojat do të mbesin”, tha Jashari.

Por, përveç, përplasjeve me bashkësinë ndërkombëtare institucionet në Kosovë hasën edhe në kundërshtinë e prokurorisë themelore në Prishtinë, e cila bëri të ditur se nuk ka qenë në dijeni për veprimet e policisë së Kosovës.

Ndërkohë, për këtë çështje, ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu, zgjodhi të përgjigjet gjatë një tubimi elektoral.

“Prokuroria na le vet janë frikacak”, tha Haxhiu.

Derisa sistemi Prokurorial i Kosovës, nuk ka dashur të komentojë deklaratat e ministres Haxhiu kundrejt tyre, avokati Ardian Bajraktari, thotë se, përkundër eprimet e policisë së Kosovës janë të ligjshme, do të duhej një koordinim më i madh mes policisë dhe prokurorisë. Ndërkaq, Bajraktari, thotë se sulmet e qeverisë, drejt sistemit të drejtësisë janë diçka që e karakterizojnë punën e qeverisë në katër vjet.

“Sulmet dhe deklaratat e tilla janë për fushatë zgjedhore pra po bëhen në një kohë të ndjeshme megjithatë nuk është hera e parë që kemi këso deklaratash dhe nuk i bëjnë nderë Kosovës”, tha Bajraktari.

Institucionet e Kosovës në vazhdimësi kanë hasur në kundërshtinë e bashkësisë ndërkombëtare për veprimet policore në veri të vendit. Ndërkohë, muaj më parë departamenti amerikan i shtetit në një vlerësim të tij, kishte thënë se qeveria e Kosovës ka instrumentalizuar policinë e Kosovës./RTV21/21Media

 

Show More

Related Articles

Back to top button