Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, i kërkon Gjykatës së Lartë ta lirojë nga qelia. Përmes avokatit Genci Gjokutaj, Meta ka depozituar një rekurs kundër vendimit të 19 nëntorit 2024, që konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij.
Meta qëndron në paraburgim teksa po hetohet nga SPAK për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.
Në një deklaratë për mediat pas depozitimit të rekursit, Gjokutja tha se ligjërisht Meta nuk duhet të qëndrojë në burg dhe kurdo që të thirret nga SPAK, do të japë shpjegime.
“Shpjegime në të cilën nuk ka asnjë penalitet. Është sqaruar procedimi për lobimin, kemi sqaruar deklarimin e pasurisë së zotit Meta dhe pastaj për Cez Dia një çështje që është bazuar në kallëzuar e dëshmitarë të rremë dhe prova të marra në kundërshtim me ligjin. Në këto kushte i jemi drejtuar Gjykatës së Lartë për revokimin e masës së arrestit me burg. Ligjërisht Meta nuk duhet të qëndrojë në burg. Kurdo që të thirret nga SPAK do të japë shpjegime”, u shpreh Gjokutaj, raporton A2 CNN.
Duke sjellë në vëmendje rastin e Sali Berishës, Gjokutaj i bëri apel gjykatës që të tregojë integritet. Sipas tij beteja me drejtësinë do të vijojë edhe në Strasburg, pas shterimit të gjykatave në vend.
“Historia nuk është pozitive, Gjykata e Lartë duhet të tregojë integritet që nuk e ka treguar deri më sot. Në raste të tilla ata janë bërë gabime shumë të rënda si në rastin e Berishës që nuk e kanë lejuar të shkojë në Kuvend. Lajthitje të tilla që është një e kaluar nuk na bën pozitivë. ne do ta vazhdojmë këtë betejë. Është e njëjta rrugë që ndoqëm edhe me zotin Berisha. Do të ecim drejt shterimit të gjykatave të brendshme për t’iu drejtuar Strasburgut nëse do të jetë e nevojshme”.