Falë autoriteteve kroate, qytetarët e Maqedonisë së Veriut e kuptuan se bujqit në vend përdorin pesticide të rrezikshme Imidakloprid, kimikate të ndaluara si në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në vendin tonë. Autoritetet kufitare në Kroaci kohë më parë zbuluan se një dërgesë me lakra nga vendi, përmbante koncentrate të larta të këtyre pesticideve. Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, ka marrë njoftim se lakrat janë shkatërruar në vendkalimin kufitar në Kroaci. Megjithatë, sipas ministrit të bujqësisë Cvetan Tripunovski, kontrollet e inspektoratit bujqësor nuk kanë konstatuar prezencë të pesticideve. Njoftoi se është gjetur prodhuesi i asaj dërgese dhe janë bërë kontrolle.
“Janë bërë kontrolle të tjera, është dalë në terren dhe janë marrë mostra nga prodhimi bujqësor i cili është eksportuar. Janë bërë analiza dhe më duhet t’u them se analizat dolën negative gjegjësisht se përbërës i tillë nuk është përdorur në prodhimet bujqësore. Nëse bëhet fjalë për ndonjë gabim nga kontrolli kufitar në Kroaci apo ndonjë moment tjetër nuk e di mirëpo e di se në Maqedoni, bujku te i cili është detektuar, gjegjësisht dërgesa që është dërguar, nuk janë gjetur pesticide të palejuara”, deklaroi Cvetan Tripunovski – Ministër i Bujqësisë.
Por sa janë të rrezikshme këto pesticide për shëndetin e njeriut? Sipas drejtoreshës së Institutit për Shëndet Publik, Marija Andonovska, Imidaklopridi nuk ka dëshmi se është kancerogjen ndërsa për efektet negative shëndetësore, varet nga kohëzgjatja dhe sasia e konsumuar.
“Kjo do të thoshte rrezikimin e disa sistemeve të organizmit, më së shumti sistemi endokrinologjik, gastrointestinal, urogjenital etj. Për pesticidin konkret nuk kemi dëshmi të caktuara klinike se është kancerogjen por megjithatë mundet që këto efekte që përmenda që i jep organeve tjera gjithsesi mund të ekzistojnë por siç theksova, gjithçka varet nga sasia e pesticidit në ushqim, por edhe kohëzgjatja e konsumimit të së njëjtës”, u shpreh Marija Andonovska, drejtoreshë e ISHP.
Muajt e fundit në treg është vërejtur shtrenjtim drastik i çmimit të lakrave, duke shkuar madje në 90 denarë për kilogram. Qytetarët ankohen se ky prodhim, tanimë llogaritet si luks, ndërsa tregtarët arsyetohen se e kanë vështirë t’i kultivojnë, veçanërisht në periudha dimri kur ka edhe reshje të borës. /Alsat.mk