LajmeMaqedoni

Pjesëmarrja në politikë, të rinjtë në RMV pothuajse të përjashtuar nga vendimmarrja

Si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë lokal përqindja e të rinjve të përfshirë në jetën politike në Maqedoninë e Veriut është shumë e vogël. Një e katërta e të rinjve nuk janë të punësuar, nuk arsimohen e as nuk trajnohen, ndërsa numri i studentëve të regjistruar dhe të diplomuar në arsimin e lartë gjithashtu është në rënie. Të rinjtë mbeten një grup i cenueshëm i cili është në rrezik nga varfëria, shkruan Meta.mk.

Këto janë konkluzionet e Indeksit të pjesëmarrjes së të rinjve, i cili raporton për pjesëmarrjen politike, sociale dhe ekonomike të të rinjve në Maqedoni në vitin 2023, e që është i përgatitur nga Unioni Rinor – Krushevë.

Në vitin 2023 Maqedonia e avancoi përkushtimin e saj për zhvillimin e të rinjve duke e miratuar Strategjinë Kombëtare për të Rinjtë 2023-2027 dhe Planin e Veprimit (2023-2025) – një kornizë gjithëpërfshirëse që u referohet disa fushave, siç është pjesëmarrja e të rinjve, informimi i të rinjve, puna rinore, arsimi, kultura, shëndetësia, sipërmarrja dhe siguria. Kjo është strategjia e tretë shtetërore për rininë dhe e thekson nevojën për përgjegjësi të qartë institucionale për zgjidhjen e kushteve dhe sfidave të të rinjve në vendin tonë.

Institucioni përgjegjës për zbatimin e kësaj strategjie është Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërsa strategjitë e mëparshme janë përballur me sfida domethënëse gjatë implementimit, me ç’rast shpeshherë nuk ishin paraparë mekanizma për ta drejtuar përgjegjësinë për rezultatet.

“Nevojitet një kornizë më e fortë që institucionet të mund të thirren në përgjegjësi dhe për të siguruar që përpjekjet për përmirësimin e kushteve për të rinjtë të kthehen në rezultate të prekshme”, thuhet në Indeks.

Pjesëmarrja në politikë, të rinjtë pothuajse të përjashtuar nga vendimmarrja

Vetëm 1,66 përqind e deputetëve në përbërjen e kaluar parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut kanë qenë të rinj nën moshën 29 vjeçare. Në vitin 2023 në Qeveri nuk kishte asnjë ministër të ri, ndërsa në mesin e kryetarëve të komunave të rinj janë vetëm 1,23 përqind.

Edhe pse ekziston një Ligj për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore, si dhe një Strategji Kombëtare për të Rinjtë, shifrat flasin për një pjesëmarrje të ulët politike midis të rinjve, gjë që e thekson paradoksin midis përpjekjeve të investuara dhe rezultateve të arrira.

“Mossuksesi për vendosjen e të rinjve në pozita kyçe vendimmarrëse në nivel kombëtar dërgon një mesazh të qartë se ata nuk janë të rëndësishëm apo se nuk ka vend për ta, pavarësisht se në thelb prej tyre priten ndryshime dhe progres. Kjo mungesë e përfshirjes jo vetëm që e minon potencialin e tyre, por gjithashtu mbyt inovacionin dhe zhvillimin afatgjatë që mund ta sjellë pjesëmarrja e tyre aktive”, thuhet në Indeksin e Pjesëmarrjes të të Rinjve.

 

Show More

Related Articles

Back to top button