Në Kroaci, është paralajmëruar bojkotimi i dyqaneve, zinxhirëve tregtarë dhe stacioneve të karburantit për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve.
Kjo iniciativë ka nisur nga grupi në Facebook “Halo, inspektore”, që mbështetet nga Qendra Evropiane e Ekselencës për Mbrojtjen e Konsumatorëve (ECIP).
Ndërkohë, ajo është përkrahur nga shoqatat për mbrojtjen e konsumatorëve, sindikatat, partitë politike dhe madje edhe nga vetë Ministri i Ekonomisë. Iniciativa filloi me mesazhe që janë shpërndarë gjatë ditëve të fundit në rrjetet sociale, shkruan index.hr.
Në to thuhet “Më 24 janar në Kroaci është bojkot kundër çmimeve të larta të ushqimit. Ftohen njerëzit që atë ditë të mos blejnë asgjë, absolutisht asgjë. Sigurohuni për atë ditë sikur të ishte e diele”.
Në Kroaci, çmimet e konsumit të matur sipas HICP-it (Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit) u rritën në dhjetor të vitit të kaluar me 4.5 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2023, që është rritja më e lartë që nga maji.
Kroacia renditet ndër tre vendet e Bashkimit Evropian me inflacionin më të lartë, pas Rumanisë (5.5 për qind) dhe Hungarisë (4.8 për qind). Norma vjetore e inflacionit në BE ishte 2.7 për qind në muajin dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa në Eurozonë ishte 2.4 për qind , sipas të dhënave më të fundit të Eurostatit.